Personat që shihni në foto janë Ilirjan dhe Kristi Orhani, babë e bir që drejtonin këtë kamion ku policia malazeze gjeti dhe sekuestroi rreth 300 kg kanabis. Lënda narkotike siç mund të shihni ishte e ndarë në 180 pako, dhe ishte fshehur në kamionin e ngarkuar me dërrasa dhe paleta prej druri.
Nga verifikimet e kryera nga autoritetet doganore në Mal të Zi, rezultoi se kamioni tip “Renault” kishte ardhur nga Shqipëria dhe kishte kaluar përmes pikës kufitare Bozhaj – Hani i Hotit.
Burime nga policia e shtetit bëjnë me dije se po kryhen verifikime lidhur me itenerarin e lëvizjes së kamionit që destinacion final kishte Austrinë si dhe për të zbuluar më pas vendin ku është ngarkuar lënda narkotike.
Sipas autoriteteve malazeze, kamioni u ndalua për kontroll bazuar në analizën e riskut. Të ndaluarit pritet të merren në pyetje dhe më pas do të vlerësohet masa e tyre e sigurisë.
Për këtë rast të tentativës së trafikut të lëndëve narkotike reagoi dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla i cili kërkoi një hetim të plotë të rastit nga momenti i kultivimit, për të nxjerrë më pas përgjegjësinë e atyre drejtorëve, shefave apo kontrollorëve policie që nuk e kanë bërë detyrën.