Shqipëria drejton sot një nga seancat më të rëndësishme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Mbledhja e nivelit të lartë ku do të diskutohet për pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës, por dhe adresimin e nevojave aktuale dhe të ardhshme humanitare, do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama.
“Mirëmëngjesi, dhe me këtë foto nga oborri i OKB-së, ku sot Shqipëria do të ulet në krye të tryezës së Këshillit të Sigurimit, për të drejtuar një nga seancat më të rëndësishme të dekadës së fundit, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë“-shkruan Rama në Facebok.
Ora 11:00 e kësaj të mërkure gjen kryeministrin Edi Rama në drejtimin e mbledhjes të Këshillimit Sigurimit, ku për të dytën herë Shqipëria mban Presidencën. Tema për diskutim në Këshill “mirëmbajtja e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.
Një ditë më parë, numri një i qeverisë shqiptare nga salla e këshillit të sigurimit tha se shpreson shumë që ky debat i hapur të mobilizojë botën në përpjekjet e saj të përbashkëta për të dënuar luftën e për të rritur trysninë ndaj Rusisë, me qëllim rikthimin e paqes në Ukrainë. Për herë të parë që nga fillimi i luftës do të jetë i pranishëm fizikisht në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.