Një ditë pas deklaratës së Gazment Bardhit se kishte kontakte me Delegacionin e BE në Tiranë për disa çështje, mes tyre dhe Avokatin e Popullit vjen reagimi nga institucioni ndërkombëtar.
Nga News24 dhe BalkanWeb mesojme se kjo nuk eshte e vertete pasi kjo media i është drejtuar me një pyetje Delegacionit në Tiranë, ku kërkon sqarim nëse kanë pasur kontakte me Bardhin. Ndërkohë në përgjigje theksohet se Delegacioni nuk ka pasur asnjë kontakt me anëtarë të opozitës sa i takon çështjes së zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Mes të tjerash në përgjigjen për News24 Delegacioni thekson se nuk mund të komentojë çështje të brendshme të një partie, siç janë edhe debatet në PD, e fundit ajo për kreun e grupit.
Pyetja: Nisur nga deklaratat e ditëve të fundit të Z. Gazment Bardhi, deputet i Partisë Demokratike, për kontakte me zyrtare të Delegacionit të BE në Tirane, a mund të kem një reagim nga ana e zyrës tuaj?
Përgjigja e Delegacionit të BE: Delegacioni i BE-së beson në rëndësinë vendimtare të opozitës për funksionimin e institucioneve demokratike. Megjithatë, Delegacioni i BE-së nuk komenton dhe nuk ndërhyn në punët e brendshme të partive politike. Në rastin konkret, Delegacioni i BE-së nuk ka diskutuar me anëtarët e opozitës për çështjen e papërfunduar të zgjedhjes së Avokatit të Popullit nga parlamenti. Delegacioni i BE-së mbështet plotësisht çdo përpjekje të ndërmarrë për finalizimin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, një tjetër hap i rëndësishëm për Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në BE..