Një zjarr i madh ka përfshirë fabrikën e bojërave Deutscholor në autostradën Tiranë-Durrës, pranë zonës së Maminasit mbrëmjen e  së shtunës, (23 shtator 2023).

Zjarri u mësua rreth orës 22:30 të mbrëmjes por Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako në një prononcim për mediat, pak pas mesnate deklaroi se kishin 4 orë që po punonin për të shuar flakët.

“Ka rreth katër orë që luftohet me një zjarr masiv të rënë në fabrikën e prodhimit të bojërave DC. Janë aktivizuar zjarrfikëse nga të gjitha bashkitë e prefekturës së Tiranës. Është një zjarr i cili ka marrë përmasa edhe për shkak të lëndëve kimike apo produkteve në prodhim. Është vënë nën kontroll dhe zjarri vazhdon” tha Çako

Policia e Durrësit informoi se në momentin që ka rënë zjarr, brenda në fabrikë nuk ka patur punonjës, por vetëm rojet të cilët kanë qenë në ambientet e jashtme të fabrikës. Fatmirësisht nga përhapja e flakëve nuk ka asnjë person të dëmtuar por fabrika ka pësuar dëme të mëdha materiale..

Mbi 15 mjete zjarrfikëse, 67 forca zjarrfikëse dhe 200 forca policie e vullnetarë u angazhuan në operacion për të shuar flakët të cilat pas mesnatës u raportua se kishin nisur të izoloheshin.

Jemi drejt mbylljes. Vatra zjarri thuajse është izoluar. Pjesa e fabrikës pothuajse është djegur. Nuk kemi rrezik për depot e gazit. As banesat nuk kanë më problem. Vatra e Zjarrit ka qenë në fabrikë brenda ” na informoi prefekti i Durrësit Emiljan Jani në një prononcim rreth orës 01:12 minuta.

Fillimisht flakët u raportuan nga roja e fabrikës i cili ka dëgjuar shpërthimet në brendësi të magazinës dhe më pas ka parë zjarrin të përhapet me shpejtësi. Më pas raportime të shumta erdhën edhe nga banorët të zonës të cilët kanë parë flakët dhe kanë dëgjuar shpërthimet.

Fillimisht situata ka qenë kritike pasi një sipërfaqe e madhe e fabrikës u vu nën pushtetin e flakëve. Puna e forcave zjarrfikëse u vështirësua pasi herë pas here kishte shpërthime që dyshohej se vinin nga bojërat për shkak të nxehtësisë në brendësi të magazinës.Për çështje sigurie u bllokua përkohësisht edhe autostrada Durrës-Tiranë dhe u kërkua që lëvizja të devijohej në rrugët dytësore.

Në një resort pranë fabrikës u detyrua të ndërpritej dasma dhe nusja dhëndri e dasmorët të largoheshin pasi mund të rrezikoheshin nga flakët. Në një vijë ajrore prej 200 metrash larg fabrikës ishin disa banesa private, familjet e të cilave u evakuan nga forcat policore.

Pas mesnatës zjarri nisi të izolohej.