5 pikë në 6 javë janë shumë pak për një ekip që ka shpenzuar mbi 1 miliardë euro në merkato. Chelsea po përjeton periudhën më të erret në histori që pas epokës Abramovic, një situatë që jo vetëm nuk ndryshoi këtë sezon, por gjërat po shkojnë edhe më keq. Nuk ka asnjë efekt as trajneri i ri Pochettino i cili kërkon gjithnjë e më shumë kohë për të rikthyer blutë në shina, por koha mund të mos mjaftojë as për Pochettino-n nëse situata nuk ndryshon shpejt.

 

Trajneri është vendosur në qendër të kritikave, nëse ekipi i tij nuk reagon as në debin kundër Fulham drejtuesit e klubit mund të marrin një vendim drastik shkruajnë mediat angleze. Më në fund pas afro 287 ditësh, Broja u rikthye në fushë, për ironi të fatit, e ardhmja e Pochettinos është e lidhur ngushtë me sulmuesin kuqezi i cili për momentin është i vetmi sulmues i mirëfilltë që Pochettino ka në dispozicion. Në sfidën kundër Fulham, trajneri duhet të bëjë edhe pa Jackson pasi ka plotësuar numrin e kartonëve, ky detaj bën që Broja të projektohet si titullar në derbin e 2 tetorit.

Plani i stafit drejtues është t’i japin Brojës minuta të tjera në EFL Cup kundër Brighton të mërkurën, për ta aktivizuar më pas si titullar përballë Fulham. Ky është një lajm shumë pozitiv edhe për Sylvinho-n pasi Broja pritet të ketë më shumë minuta në këmbë përpara sfidës kundër Republikës Çeke më 12 tetor.