Shqipëria arriti shifra rekord këtë sezon turistik, ku mijëra të huaj u njohën me bukuritë përrallore të vendit tonë.

Sipas INSTAT, hyrjet e shtetasve të huaj për 8 muajt e parë të këtij viti arritën në gati 7.2 milionë persona (7,190,410), me një rritje prej 26.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vetëm në gusht, që është kulmi i sezonit turistik, në vend hyrë rreth 2 milionë shtetas të huaj, ose 18.3% më shumë se sa gushti i një viti më parë.

Që nga qershori në vend hynë mbi 1 milionë shtetas të huaj, për të arritur në 1.77 milionë në korrik, duke e kaluar për herë të parë pragun e 2 milionëve në gusht.

Gjatë gushtit 2023, ku ndodhi fluksi i madh i turistëve, të cilët kryesisht u vendosën në zonat bregdetare të Shqipërisë, numri më i lartë i turistëve ishin nga kontinenti i Evropës me 1.951.489 shtetas. Evropa u pasua nga Amerika dhe Azia Lindore/Paqësori me përkatësisht 40.106 dhe 12.335 shtetas.

Shtetasit nga Kosova vijojnë të zënë pjesën më të madhe të hyrjeve në Shqipëri, me rreth një të tretën. Këtë vit, për herë të parë italianët kaluan të dytët me rreth 10%, të ndjekur nga vendet e tjera të rajonit, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Nga ana tjetër, gjatë këtij tetë mujori, dalja e shqiptarëve jashtë vendit u rrit me 18,9%. 4.577.753 shqiptarë dolën nga vendi gjatë kësaj periudhe.

Sipas INSTAT, numri i daljeve të shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit gusht 2023 është 842.940 dhe krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2022 është rritur me 8,9%.