Prova e zhvillime surprizuese paralajmëron Prokuroria e Posaçme për çështjen e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati. Duke iu referuar burimeve nga SPAK ”  behet me dije se ka prova të reja penale dhe priten zhvillime surprizuese për ish-zv.kryeministrin Ahmetaj.SPAK ka verifikuar si ka dalë nga Shqipëria, por nuk dihet ende ku ndodhet aktualisht.

Ndërkohë dy emra të tjerë, figura të njohura e kryesore të PS-së janë në lupën e SPAK. Bëhet fjalë për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, ndaj të cilit ka nisur automatikisht hetimi pasuror. Po kështu sipas SPAK për Damian Gjiknurin “janë duke u bërë verifikime”.

Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka zhvilluar këtë të enjte një takim informal me gazetarët. Ai është përgjigjur pyetjeve për një sërë çështje që kanë interes.

Sa i përket çështjes ndaj ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, ai bëri një paralajmërim.

“Dimë kur dhe ku ka dalë nga Shqipëria, çfarë dokumenti ka paraqitur dhe arsye. Së shpejti do kemi zhvillime surprizuese”, mësohet të jetë shprehur Dumani siç raporton gazetarja Glidona Daci.

Sa i përket çështjes së inceneratorëve, Dumani tha se nuk do të thotë që hetohet për secilin person që del në atë procedim penal.

Për Fredi Belerin, Dumani theksoi se “është çështje si gjithë të tjerat dhe shtoi se i janë respektuar të gjitha të drejtat që parashikon ligji”.

Për çështjen e sterilizimit nuk bëri shumë komente, por theksoi se po vijon të hetohet.

“Nuk përjashtohet mundësia në çdo kohë të ketë persona të tjerë nën hetim. S’kam koment për vendimin e gjyqtarit. Vijon të jetë nën hetim nga dy prokurorët e çështjes (Edvin Kondili e Eneid Nakuçi). Kam ushtruar kompetencat e mia si drejtues i prokurorisë sa më takon ligji. Sa i takon hetimit pasuror, është praktikë në SPAK që kryhet si për veprën penale të korrupsionit edhe për krimin e organizuar, është hetim paralel”.

Po ashtu mësohet se SPAK ka marrë dosjen e për serat e kanabisit në Berat ku u zbulua përfshirja edhe e zyrtarëve të policisë. Dumani sqaroi se procedimi është regjistruar për grup të strukturuar kriminal.

Gjatë operacionit u sekuestrua rreth 875 kg kanabis i tharë, ndërsa u ndaluan 105 persona, ku 95 ndër to ishin gra të cilat ishin punësuar për të pastruar lëndën narkotike. Sera ishte në pronësi të Hamdi Dylit, e cila ishte ndarë në 4 pjesë