Shtyhet për në datën 3 tetor seanca gjyqësore për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu.Mesoet se seanca e kësaj të premteje është shoqëruar me debate, sa i takon listës së dëshmitarëve dhe provave që dorëzuan palët.
Avokati i viktimave të veprave penale kërkoi kohë që të njihet me provat e mbrojtjes dhe dorëzoi një listë me 12 dëshmitarë.
Sakaq avokati Henrik Ligoi kundërshtoi pretendimet e avokatit Maltia duke argumentuar se nuk ka nevojë për një prokuror shtesë në këtë çështje. Në listën e dëshmitarëve të Dorian Maltias ishte dhe emri i Fiqiri Ismailit, ish-kryetari i bashkisë Vorë.
Mediu kërkoi 90 dëshmitarë
Procesi gjyqësor pritet të jetë i gjatë nisur dhe nga numri i madh i dëshmitarëve të cilët pritet të dëgjohen në gjykatë. Ndërkohë vetë Fatmir Mediu kërkon që të pyeten 90 dëshmitarë. Mes tyre figuron ish zëvendës sekretari amerikan i Mbrojtjes në periudhën 2006-2009 Gordon England, apo dhe ish ministrat e Mbrojtjes së Gjermanisë dhe Italisë.
Pse akuzohet Mediu?
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin. Sipas SPAK, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar 2 kompanitë, ‘SAC’ dhe ‘Albademil’. Për këtë çështje ai akuzohet për “shpërdorim detyre” referuar Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.