Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke kryer bastisje në pesë lokacione në veri të vendit, lidhur me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës mëngjesin e së dielës, ku u vra polici Afrim Bunjaku.
Operacioni policor është duke vazhduar nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës, me prezencën në vend ngjarje të Prokurorit (të PSRK-së.Këto urdhër kontrolle, Policia ka thënë se janë duke u zbatuar në koordinim me EULEX dhe KFOR.
“Sot, me datën 29.09.2023 Policia e Kosovës është duke zbatuar urdhëresën e gjykatës kompetente për kontrolle, në pesë lokacione në tri komunat në veri të Kosovës. Këto operacione janë duke u zhvilluar lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në fshatin Banjskë. Operacioni policor është duke vazhduar nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës, me prezencën në vend ngjarje të Prokurorit (të PSRK-së). Me këtë rast Policia e Kosovës njofton qytetarët se nuk kanë nevojë për ndonjë shqetësim. Këto urdhër kontrolle, janë duke u zbatuar në koordinim me EULEX dhe KFOR”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Burime për median Klan Kosova bëjnë të ditur se shënjestër e këytre kontrolleve është edhe vila e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiç. Sipas këtij burimi, vila e tij që ndodhet në Ujman është duke u bastisur prej orës 6:00 të mëngjesit.
Milan Radojiçiç, sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka qenë pjesë e grupit terrorist i cili të dielën që lamë pas vrau një polic në Banjskë të Zveçanit. Pas këtij rasti, Policia ndërmori një aksion për të neutralizuar këtë grup i cili ishte strehuar në Manastirin e Banjskës.
Sipas informacioneve të REL-it në terren, pjesëtarët policorë në Mitrovicë të Veriut kanë qenë te spitali i qytetit. Drejtori i spitalit, Zllatan Ellek ka konfirmuar për mediat se policia i ka konfiskuar incizimet monitoruese dhe nuk ka gjetur asgjë tjetër të dyshimtë Zyrtarët policorë kanë qenë edhe te restoranti Gray në Mitrovicën e Veriut, i cili besohet se është në pronësi të Ema Radoiçiçit, bashkëshortes së nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiç. Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, ka thënë se njësitë speciale të Policisë së Kosovës kanë hyrë brutalisht në spitalin në Mitrovicë të Veriut dhe i ka akuzuar zyrtarët policorë për “brutalitet të tepruar”. Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se policia e ka dëmtuar derën hyrëse të spitalit dhe ka pretenduar se nga aksioni policor janë shqetësuar banorët e zonës.