Policia e Shtetit ka bërë bilancin e muajit shtator, gjatë të cilit janë finalizuar 83 operacione policore, nga të cilat u vunë në pranga 937 persona. Ndërsa nga kontrollet e kryera nga Vermoshi në Konispol, janë asgjësuar mbi 60 mijë bimë kanabisi, drogë, armë dhe municion luftarak.

Përgjatë këtij muaji, falë masave të marra janë goditur disa raste të shitjes së lëndëve narkotike pranë shkollave, të cilat në kuadër të Pakestës së Sigurisë kanë vënë në qendër të vëmendjes nga shërbimet e policisë.

Po ashtu në masat e ndërmarra për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Poloni, planëzimi i efektivëve, koordinimi i punës dhe levizjeve në kryeqytet, si dhe qytetaria e treguar ndikuan pozitivisht në standardet e sigurisë që vendi ynë ka afirmuar tashmë edhe ndërkombëtarisht.

Gjithashtu, efektivë të Policisë së Kukësit janë angazhuar maksimalisht për të garantuar mbarëvajtjen e zgjedhjeve bashkiake që u zhvilluan në këtë qark, gjatë këtij muaji.

Gjatë muajit shtator 2023:

Për sa i përket misionit parësor të Policisë, sigurisë së qytetarëve, gjatë këtij muaji janë finalizuar megaoperacione me impakt të lartë publik.

-Megaoperacioni policor i koduar “NEVER FORGET” bëri të mundur zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale kundër personit e pronës, të ndodhura më parë, brenda dhe jashtë vendit (6 vrasje, 5 shkatërrime me eksploziv të pronës, 2 vjedhje me dhunë, 3 sigurime të kushteve/mjeteve për të kryer vrasje dhe 1 kanosje të punonjësve të Policisë). Profesionalizmi dhe konspiracioni i specialistëve të strukturave hetimore dhe operacionale të Policisë së Shtetit, si dhe të grupeve hetimore të Prokurorisë, mundësuan identifikimin e 16 autorëve të këtyre rasteve (shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore), si dhe ekzekutimin e 12 urdhrave për ndalimin e tyre.

-Megaoperacioni policor mbarëkombëtar i koduar “Tempulli” çrrënjosi në 12 qarqet e vendit, veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së drogave të ndryshme te nxënësit, të rinjtë dhe grupmosha të tjera. Megaoperacioni, në konspiracion të plotë, arriti të vejë në pranga 260 shtetas (organizatorë grupesh kriminale, shpërndarës dhe tregtues të lëndëve narkotike) dhe të sekuestrojë qindra kilogramë cannabis, si dhe heroinë, kokainë, droga të tjera të reja në vendin tonë,  armë zjarri, qindra automjete dhe celularë nëpëmjet të cilëve koordinohej dhe kryhej shpërndarja, si dhe shuma të konsiderueshme parash të fituara nga veprimtaritë kriminale.

-Megaoperacionet “Obelisk” dhe “Knock out 3”, të finalizuara në Vlorë, parandaluan ngjarje të rënda kriminale kundër personit, të cilat do të kryheshin nga grupe kriminale, me përdorimin e minave ose armëve të zjarrit. 7 shtetas u vunë në pranga për të dyja megaoperacionet. Minat dhe armët e zjarrit u sekuestruan nga Policia.

-4 grupe të tjera kriminale që shpërndanin, shitnin ose trafikonin droga të ndryshme (drejt RMV-së ose Greqisë), u goditën në Korçë, Fier, Tiranë dhe Himarë, si rezultat i operacioneve “Restart 16”, “Vakumi”, “Kodra e diellit 3” dhe “ION”. 16 anëtarë (shqiptarë dhe të huaj) të këtyre grupeve kriminale, u vunë në pranga. Cannabis, kokainë, ekstazi, MDMA dhe para të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, u sekuestruan nga Policia.

Në vijim, strukturat në qarqe finalizuan 12 operacione të tjera antidrogë dhe 20 operacione kundër kultivimit të cannabisit.

-4 arsenalë armësh, sasi të mëdha municioni luftarak, jelekë antiplumb dhe veshje kamuflazhi, u gjetën dhe u sekuestruan nga Policia, në Selenicë, si dhe në Shkodër, Durrës dhe në Elbasan (si rezultat i operacioneve “Konglomerat”, “Types” dhe “Brothers”). 5 shtetas u vunë në pranga për posedim të armëve, për qëllime kriminale.

Në vijim, strukturat në qarqe finalizuan 15 operacione të tjera kundër mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit.

-reth 445 000 euro, si dhe mallra (veshje, produkte kozmetike, ora të markave të shtrenjta, aksesorë diamanti dhe floriri) me vlerë rreth 500 000 euro, u sekuestruan nga Policia në qendër dhe në qarqe, si dhe nga shërbimet e Policisë Kufitare, në disa pkk, si rezultat i 17 operacioneve të finalizuara kundër krimeve ekonomiko-financiare.

-U zbardhën 43 vjedhje në banesa ose në biznese të ndryshme. Autorët e tyre u identifikuan dhe u vunë në pranga, si dhe u sekuestruan 38 100 euro dhe aksesorë floriri, të vjedhura.

-Policia ndërhyri për 52 raste zjarrvëniesh. Përveç asistencës së shërbimeve për të shuar zjarret, hetimet e ndjekura me përparësi rezultuan me arrestimin e 21 shtetasve, procedimin në gjendje të lirë të 31 shtetasve dhe shpalljen në kërkim të 1 tjetri, të gjithë të dyshuar për zjarrëvënie me dashje apo nga pakujdesia.

-U finalizuan 10 operacione kundër transportimit të emigrantëve, kundrejt pagesave, për të kaluar ilegalisht kufirin, me destinacion vendet e BE-së.

-4 shtetas të kërkuar ndëkombëtarisht për vrasje, trafikim të drogës, marrëdhënie seksuale me dhunë ose mashtrim, u kapën nga Policia shqiptare, me qëllim ekstradimin.

-Shërbimet e Policisë Rrugore, të pajisura me logjistikë bashkëkohore, kanë qenë prezente gjatë këtij muaji, në të gjitha akset e vendit, me qëllimet e vetme: parandalimin e aksidenteve rrugore dhe lëvizjen e lehtësuar të përdoruesve të rrugës.

Në këtë kuadër, si rezultat i punës parandaluese dhe monitorimeve të pandërprera:

Janë vënë në pranga 222 drejtues mjetesh, nga të cilët 130 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 92 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 499 leje drejtimi, nga të cilat 356 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 78 për drejtim mjeti, nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 65 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.

-Shërbimet e Policisë Kufitare kanë ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe etik, për qytetarët në hyrje/dalje, në të gjitha pkk-të e vendit. Kontrollet e bazuara në analizat e riskut, kanë garantuar qarkullimin e lirë dhe të sigurtë të shtetasve, mallrave dhe shërbimeve.

Këto shërbime kanë konstatuar dhe goditur: 48 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 10 raste të mosdeklarimit të të hollave, 9 raste të përdorimit të dokumenteve false, 9 raste të kontrabandimit të mallrave të ndryshme dhe 6 raste të trafikimit të mjeteve motorike.

Policia e Shtetit është maksimalisht e angazhuar për të parandaluar ngjarjet kriminale, për të zbardhur ato që janë kryer më parë, për të finalizuar megaoperacione dhe operacione kundër veprimtarive kriminale, për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale shtetasit që cenojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe nëpërmjet punës së përditshme, për të kontribuar për rritjen e imazhit të vendit.

Ftojmë qytetarët që të kallëzojnë çdo lloj paligjshmërie që ata ndeshin dhe iu garantojmë anonimatin, reagim të menjëhershëm dhe profesional.