Bërnjaku, një prej pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, është hapur të mërkurën për qarkullim, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Kjo pikë kufitare, bashkë me Jarinjën, janë mbyllur për qarkullim më 24 shtator, pas sulmeve të armatosura ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë. Elshani i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pika kufitare në Jarinjë vazhdon të jetë e mbyllur, për shkak të kërkimeve në terren në atë rajon.
“Ende nuk ka ardhur urdhri për hapje për Jarinjë”, ka thënë mes tjerash Elshani. Kosova e ka bërë fajtore Serbinë për sulmin në Banjskë, të cilin e ka konsideruar “akt terrorist”.
Beogradi, në anën tjetër, i ka hedhur poshtë këto akuza, duke thënë se serbët lokalë në Kosovë, “janë rebeluar kundër terrorit të Kurtit”, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Më 29 shtator, Millan Radojiçiç e ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin në Banjskë.
Të njëjtën ditë, ai ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Radojiçiç është marrë në paraburgim për 48 orë nga autoritetet në Serbi, më 3 tetor.