Turq, izraelitë, austriak, gjerman, spanjoll… shumë turistë gjen në vendin tone edhe në muajin tetor, megjithatë ata që duket se e kanë zaptuar Shqipërinë janë italianët.
Tashmë Shqipëria për ta nuk është vetëm një destinacion që preferohet gjatë verës. Megjithatë italianët kanë një vend shumë të ngjashëm me Shqipërinë, një det po aq të bukur sa riviera shqiptare, një kulturë të ngjashme me tonën, pse ata po e zgjedhin kaq shumë Shqipërinë si një destinacion për t’u vizituar?
“Ka ndryshuar 100%, më përpara edhe njerëzit nuk kanë qenë kështu, tani janë më të mirë më të aftë, prandaj po vijnë italianët këtu”, tha turisti.
“Është një zbulim i ri sepse televizionet italiane, franceze i kanë bërë shumë publicitet për mirë vendit. Më përpara nuk e njihnin mirë Shqipërinë, mendonin se Shqipëria është si Maroku”, tha një turiste.
“Është një shtet në rritje, ndërsa Italia ka mbetur pak në vend. Mjafton të shikosh kryeqytetin që është në ndërtim I gjithi dhe kjo nënkupton rritje. Për më tepër për italianët Ballkani është më i aksesueshëm edhe falë kostove të ulëta”, tha një tjetër turist.
Këtë rritje të interesit turistik të italianëve për Shqipërinë, ata vetë e lidhin edhe me ngjashmërinë mes dy popujve.
“Afërsia gjeografike është arsyeja e pare dhe fakti që kultura shqiptare është e ngjashme me atë italiane, e kryesisht me atë jugore”
“Është një zonë tërheqëse për italianet. Edhe sepse është e ngjashme me Barin dhe Puglian në Itali”
“Ndihemi të ngjashëm me popullin tuaj ndaj edhe e zgjedhim Shqipërinë”
“Për shumë vite shqiptarët na kanë vizituar ne, kështu që pse mos të zbulojmë dhe ne më shumë për kulturën dhe vendin tuaj”, u shprehën turistët.
Ka një numër të lartë faktorësh të ndryshëm që e bëjnë Shqipërinë një destinacion tërheqës për italianët. Afërsia gjeografike, vendi në zhvillim, kultura dhe historia e pasur e vendit tonë, kuzhina tradicionale shqiptare, bukuritë natyrore dhe kostot e ulëta e kanë kthyer në një trend Shqipërinë për fqinjët tanë italianë.