Këshilli i Ministrave ka rihapur procesin e aplikimit për përzgjedhjen e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) që do të mbajë detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të institucionit.
Gara ishte shpallur fillimisht më datë 20 shtator dhe afati për dorëzimin e aplikimeve kishte qenë deri më datë 29 shtator. Por, këtë muaj Kryeministria ka rihapur procesin, duke vendosur si afat të ri datën 23 tetor të këtij viti, pa dhënë arsyet e rihapjes së procedurës.
Lista e kandidatëve që aplikuan në shpalljen e parë të procesit konkurrues nuk është publikuar zyrtarisht, por sipas burimeve nga tregu në proces aplikuan Pajtim Melani, Redi Lleshi, Armand Reveli dhe Petrit Perhati.
Vendi i Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ngeli vakant në muajin shtator, pasi Ervin Mete u lirua nga detyra për tu emëruar në vijim si Ministër i Financave dhe Ekonomisë.
Sipas ligjit, anëtari i Bordit, që do të mbajë funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv, emërohet nga Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave, pas një procedure përzgjedhëse.
Ligji kërkon që kandidati për Anëtar i Bordit të AMF-së të ketë përfunduar ciklin e plotë të studimeve universitare në fushat ekonomike, juridike ose të lidhur me shkencën e aktuarëve dhe të ketë përvojë profesionale të paktën 7-vjeçare, nga të cilat, të paktën 5 vjet në financë-kontabilitet, administrim i shoqërive tregtare, këshillim ligjor i shoqërive tregtare, hartim legjislacioni, shkencë e aktuarëve ose sigurime shoqërore dhe pensione.
Parashikimet e ligjit organik të AMF e kufizojnë ndjeshëm spektrin e kandidatëve potencialë që mund të jenë anëtarë Bordi të AMF, duke përfshirë edhe pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv.
Sipas ligjit, nuk mund të jenë anëtarë të Bordit të Autoritetit persona, të cilët në tre vitet e fundit kanë qenë ortakë, aksionarë, apo anëtarë të organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura; kanë lidhje familjare me personat e parashikuar në shkronjën “a” të këtij paragrafi; në tre vitet e fundit kanë qenë punonjës me kohë të pjesshme apo të plotë në subjektet e mbikëqyrura.
Gjithashtu, në rast të lirimit nga detyra të ndonjërit prej anëtarëve të Bordit përpara afatit, anëtari tjetër emërohet me të njëjtën procedurë, siç është emëruar anëtari që lirohet, për periudhën deri në përfundim të mandatit të anëtarit që lirohet. Bazuar mbi këtë përcaktim ligjor, anëtari i Bordit që do të marrë detyrën e Drejtorit Ekzekutiv nuk do të ketë një mandat të plotë 5-vjeçar, por një mandat të pjesshëm, deri në vitin 2025, kur mbyllej mandati i drejtorit të mëparshëm. Për shkak se mandati do të jetë i pjesshëm, afërsisht një vit e gjysmë, interesi i kandidatëve të mundshëm në këtë proces mund të jetë i kufizuar.
/Revista Monitor/