Çdo gjë hermetike rreth situatës në kombëtaren shqiptare të futbollit. Trajneri u ka kërkuar lojtarëve përqendrim maksimal për ndeshjen me Çekinë. Braziliani mbetet ende në pritje për gjendjen fizike të Armando Brojës, por është stafi mjekësor që do të japë verdiktin final.

Pjesa tjetër e futbollistëve janë në formë dhe të gatshëm, por Sylvinho nuk ka zbuluar asnjë detaj sa i përket formacionit.

Nga seanca e fundit stërvitore mendohet se tekniku do t’i besojë më së shumti të njëjtit grup lojtarësh si në ndeshjen e parë që u mbajt në Pragë. Edhe në Air Albania, synimi është fitorja por të paktën të dilet me barazim nga stadiumi.

Teksa janë shitur të gjitha biletat dhe pritet të ketë një atmosferë të ndezur në Air Albania, UEFA ka porositur federatën e futbollit që të mos i lërë asgjë rastësisë përsa i përket organizimit.

Dyert e stadiumit do të hapen që në orën 18:00 pasi do të jetë një fluks i madh tifozësh të cilët do t’i nënshtrohen kontrolleve të rreptësishme për mjete piroteknike si dhe çdo send të fortë deri tek çakmakët apo monedhat metalike.

Një kontroll i imtësishëm do të bëhet edhe për biletat, për të shmangur falsifikimet. Personat që do të kapen me kuponë false do të procedohen penalisht nga Policia e Shtetit.

UEFA ka kërkuar gjithashtu edhe shmangien e banderolave apo parullave nacionaliste, raciste dhe politike. Në të kundërt do të aktivizohet dënimi me mbylljen e tribunave pas porte.

Block Title