Sali Berisha e ka konsideruar arritje të madhe kombëtare konsensusin mes Partisë Socialiste dhe opozitës për miratimin e një rezolute që dënon sulmet terroriste serbe në Veri të Kosovës.
Në një prononcim për mediet, Berisha theksoi se kjo është hera e parë që bien dakord me kryeministrin Rama sa i përket qëndrimit ndaj Kosovës, që nga marrja e pushtetit prej socialistëve në 2013-ën.
Megjithatë, kreu i Rithemelimit insiston se marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën duhet të ndërtohen mbi parimin e mosndërhyrjes në mënyrë kategorike në punët e brendshme. Sado që jemi vëllezër, ne jemi dy shtete të pavarura, thotë Berisha.
“Për interesat e kombit shqiptar, që nga viti 2013 gjer më sot, ne kemi qenë në pozita të kundërta në qëndrimin ndaj Kosovës me PS-në dhe Edi Ramën dhe kjo është shumë e njohur.
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën, mendoj unë se duhet të ndërtohen së pari në parimin e mosndërhyrjes në mënyrë kategorike në punët e brendshme.
Sado që jemi vëllezër, nuk jemi një shtet dual, jemi dy shtete të pavarura.
Dhe në këtë kontekst, respektimi i vullnetit të zgjedhësve në dy shtetet, është kusht themelor se është respektim i sovranitetit.
Kjo nuk ka ndodhur në këto 10 vite, të mos hyj këtu për të listuar të gjitha aktet.
Mendoj se konsensusi shënon një arritje të madhe kombëtare. Se u ra dakord të mbështetej plotësisht rezoluta e Kosovës. Këtë prisnin shqiptarët e Kosovës nga parlamenti i Shqipërisë, priste çdo shqiptar që e do këtë vend.
Plus dy rekomandime të tjera.
Tani mund të thoni ju se çfarë ndodhi? Aq sa mund ta merrni vesh se çfarë ndodhi me Ballkanin e Hapur, me promotorin e tij, mund të merret vesh.
Po për ne, rëndësi ka që deputetët sot do të votojnë mbështetjen e plotë për rezolutën e Parlamentit të Kosovës dhe ky është një akt shumë i rëndësishëm në një moment shumë të rëndësishëm”- tha Berisha.