Autoritetet greke i kanë dhanë fund dramës që një 13-vjeçare përjetoi nga duart e një 18-vjeçari shqiptar.

Sipas medias greke “Protothema” gjithçka ndodhi rreth orës 18: 00 pasditen e djeshme, ku një baba i dëshpëruar së bashku me gruan dhe dy djemtë e tij, i afrohen ekipit të DIAS-s në rrugë dhe i kërkojnë që t’i gjejnë vajzën, e cila ishte zhdukur që nga dita e enjte, pa dhënë asnjë shenjë jete. Babai tregoi se ka njoftuar autoritetet, por kërkon dhe ndihmën e njerëzve të DIAS-it, me shpresën për të gjetur sa më shpejt vajzën e tij.

Pasi nisën kërkimet, rreth orës 22:00 autoritetet greke e gjetën vajzën e mitur në zonën e e Omonias, në gjendje të rëndë psikologjike e cila endej e vetme dhe dukej sikur kishte humbur. Oficerët e policisë iu afruan dhe e dërguan në stacionin e policisë në Omonia, ku njoftuan familjarët e saj për ta marrë.

Vajza ishte në gjendje të keqe, qante vazhdimisht dhe fillimisht nuk tregoi asgjë. Më pas policia fitoi besimin e saj, kështu e mitura filloi të tregonte se ishte takuar me një 18-vjeçar shqiptar përmes rrjeteve sociale dhe se ai e kishte çuar në shtëpinë e tij në Colonos të shtunën e kaluar, ku kanë pasur marrëdhënie seksuale.

Pas një hetimi nga EL.AS. 18-vjeçari u gjet dhe u arrestua për joshjen dhe abuzimin me një të mitur. Vlen të theksohet se i riu akuzohet edhe për krime të tjera si grabitje, vjedhje dhe zhvatje e të miturve.