Bashkë me Jamarbër Malltezin dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ka rënë në pranga edhe Fatmir Bektashi, ortak i Jamarbër Malltezit për privatizimin e ish kompleksit ‘Partizani’ ku sot janë ngritur 17 kulla. Hetimet ndaj tyre kanë kohë që kanë nisur dhe tashmë SPAK ka urdhëruar arrestimet e tyre.

Fillimisht u arrestua Malltezi, ndërsa kthehej nga Gjermania.

Kallëzimi është bërë nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në lidhje me procedurat e ndjekura për privatizimin e pronës shtetërore “Klubi Sportiv Partizani” Tiranë. SPAK ka dy vite që ndjek hetimet.

Privatizimi i ish-kompleksit Partizani filloi në vitin 2008 dhe përfundoi në katër vite më vonë, në vitin 2012. Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, jo shumë larg nga qendra e Tiranës, ku sot janë ngritur 17 kulla.