GJKKO ka vendosur dhe sekuestruar të gjitha pasuritë e Jamarbër Malltezit/

Sekuestro do të jetë në status deri në përfundimit të procesit gjyqësor.

Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili më herët ka mbajtur edhe postin e Drejtuesit të Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike u arrestua sot në aeroportin e Rinasit.

Jamarbër Malltezi është i dyshuar për pastrim parash dhe korrupsion.

E vetmja dosje me të cilën lidhet emri i tij dhe për të cilën është kallëzuar në SPAK është ajo e privatizimit të ish klubit sportiv “Partizani”.

Padia në SPAK për këtë dosje është çuar nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla në kohën kur ishte kreu i grupit të Partisë Socialiste.

Malltezi në atë kohë u thirr nga SPAK dhe u mor në pyetje për këtë çështje ndërsa duket se Prokuroria e Posaçme ka gjetur provat e mjaftueshme për të arrestuar dhëndrin e ish-kryeministrit, që rezulton të jetë një prej pronarëve kryesorë të pallateve që fshiu gjurmët e kompleksit Partizani.

Bëhet fjalë për një pronë me rreth 10.000 m2, në qendër të Tiranës që në vitin 2008 është privatizuar me një vlerë prej 100.000 dollarë, më pak se vlera e një garsoniere të shitur në atë zonë.

Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, jo shumë larg nga qendra e Tiranës, ku sot janë ngritur 17 kulla.