Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta e ka quajtur urdhër politik të kryeministrit Edi Rama për të intimiduar opozitën, masën e sigurisë të vendosur ndaj Sali Berishës nga SPAK.

Përmes një statusi të shkurtër në rrjetet sociale, aleati i kreut të Rithemelimit, thotë se drejtësia me regji ka ndërmarrë akte antikushtetuese dhe të paligjshme ndaj Berishës.

“Këto veprime, që kanë shkelur me këmbë edhe Parlamentin e Shqipërisë kërkojnë shmangien e vëmendjes nga korrupsioni dhe përgjegjësitë shumë të rënda personale të Edi Ramës për aferën e inceneratorëve dhe mjaft aferave të tjerave qindra milionëshe. Qëllimi politik i vetëm është shantazhi dhe intimidimi i opozitës, e cila po denoncon me këmbëngulje të vërtetat shumë të hidhura të korrupsionit mafioz të Qeverisë.”-shkruan Meta.

Kreu i PL është ndër të paktët politikanë që ka reaguar për masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” për Berishën, ndërsa për vetë ish presidentin po hetohet në SPAK dosja e lobimit.