Një ditë pasi SPAK i caktoi masën ‘detyrim paraqitje’ për korrupsion për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, sot brenda pallatit ku banon Sali Berisha, janë parë forca policie. Mediat kane publikuar pamjet ku pranë shtëpisë së Berishës ndodhet një patrullë e forcave, Shqiponja dhe efektivët dalin nga pallati i ish-kryeministrit. Për ish kryeministrin Berisha nuk është dhënë një tjetër masë më e ashpër, siç është arresti me burg, për shkak të moshës, pasi është 79-vjeç.
Pas deklaratës urgjente për shtyp që mbajti në selinë blu, në orët e vona të darkës, dy efektivë të drejtorisë së policisë Tiranë i shkuan në zyrë Berishës, për t’i komunikuar masën dhe për t’i marrë pasaportën për të mos lëvizur jashtë vendit. Por Berisha i quajti mercenarë e refuzoi t’i takojë, ndërsa shtoi se po shkelet kushtetuta.
Ndërkohë po me urdhër të SPAK është arrestuar Jamarbër Malltezi (21 tetor), dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili u prangos në aeroportin e Rinasit për aferën e privatizimit të ish- kompleksit Partizani. Dhëndri i ish kryeministrit Berisha, Malltezi nën hetim për këtë çështje u arrestua gjatë kohës që po priste në Rinas bashkëshorten e tij Argita Berisha që kthehej nga Mynihu, ku kishte qenë tek vajza e sëmurë.
Ai është ndaluar jo nga policia kufitare, por nga agjentët që ekzekutuan urdhrin e lëshuar nga prokurorët e SPAK Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai, firmosur nga gjyqtarja e GJKKO-së Irena Gjoka. Po ashtu SPAK ka lëshuar urdhër edhe për sekuestrimin e pasurive të Jamarbër Malltezit.
Me urdhër të SPAK detyrim paraqitje edhe Fatmir Bektashi, ortak me Malltezin dhe ndërtues i kullave ne ish-kompleksin Partizani. Ndaj tyre rëndon akuza për pastrim parash dhe korrupsion. Disa ditë më parë kreu i SPAK, Altin Dumani tha se po hetohet në mënyrë aktive për këtë çështje.
Afera e kompleksit partizani ka shënjuar pushtetin e dytë të Sali Berishës në vitet 2005-2009, atë të tjetërsimit të pronës publike të ish-Kompleksit Sportiv Partizani, për llogari të familjarëve të Sali Berishës. Ka qenë kjo aferë që ka ndikuar në shpalljen non grata të Sali Berishës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.