Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur që nesër në orën 14:00 do të mbahet seanca gjyqësore për ish-Kryeministrin, Sali Berisha ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”, për veprën penale “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. 

Oficerët e policisë gjyqësore kanë shkuar pasditen e kësaj të hëne në shtëpinë e Berishës, në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë, duke qenë se dy ditë më parë ish kryeministri refuzoi që të njihej me masën kur në selinë e Rithemelimit i shkuan dy agjentë. 

Kjo është hera e dytë që oficerët kërkojnë që të takohen me Berishën për ta njohur me masën e sigurisë por ish-kryeministri nuk i ka pritur duke pretenduar se vendimi i GJKKO është i jashtëligjshëm.

Policia e Shtetit tentoi ta njoftojë edhe të shtunën në mbrëmje pas konferencës që mbajti për mediat nga selia e Rithemelimit, por Berisha i shmangu dhe nuk i takoi duke i nxjerrë mbështetës të tij me pretendimin se SPAK më herët duhej të kishte marrë autorizimin e Kuvendit për masat ndaj tij.