Ish kryeministri Sali Berisha i cili akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me aferën e ish kompleksit Partizani, refuzoi të paraqitet sot në ora 14:00 në GJKKO.
E ndërsa në orën 14:00 kur ishte caktuar seanca në GJKKO u paraqitën dy avokatët e tij, Berisha doli në konferencë për median ku sulmoi gjyqtaren e cila më 20 tetor firmosi masën e sigurisë ndaj tij dhe arrestimin e dhëndrit Jamarbër Malltezi dhe po sot e thirri të merret në pyetje.
Vendosja e masës antikushtetuese pa marrë leje nga Parlamenti është përdhosje e ligjeve dhe e Kushtetutës. Se ka një gjykatëse të papërgjegjshme, vasale të mjerë që i lejon vetes këtë vendim unë nuk mund tia lejoj vetes të shkelë Kushtetutën. Që nesër po të sjellin amendamentin e vitit 2012 në Parlament Sali Berisha e voton”
Gjykata e Posaçme kishte caktuar ditën e sotme për ta marrë në pyetje, si person në hetim. SPAK e akuzon se ka kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, por dhe kryer veprime konkrete për kontrolle administrative me qëllim final privatizimin e ish kompleksit ‘Partizani’ për të ndërtuar 19 kulla ku fitues i drejtëpërdrejtë është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Rreth orës 11:00 nga selia e Rithemelimit, Berisha paralajmëroi se nuk do të shkojë në GJKKO për t’u marrë në pyetje me preteksin se nuk shkel Kushtetutën.
“Po konsulotem të ndërmarr hapa ligjorë me juristë. Në çdo kohë unë jam gati të paraqitem për tu pyetur e për çdo gjë. E vetmja gjë që nuk mund të pranoj është të shkel Kushtetutën e vendit. Jam autor i ligjit që kjo mbrojtje nuk duhet të ekzistojë. Hajde të ndryshojmë Kushtetutën por jo ta menderosim atë” tha Berisha.
Berisha e pranon se e gjitha kjo procedurë është formalitet dhe mbrohet se akuzat e ngritura ndaj tij dhe dhëndrit Jamarbër Malltezi janë të pavërteta.
“Piramida e trillimit e mashtrimit e falsifikimit do të shembet. Nuk pengoj asnjë proces gjyqësor hetimor e të tjerë. Ky është një formalitet por një formalitet që buron nga Kushteta e vendit dhe nuk e shkel’ tha më tej Berisha.
Më 21 tetor 2023, kur u mësuan masat e sigurisë, ish-kryeministri Sali Berisha refuzoi të firmosë procesverbalin e policisë për njohjen me masën e sigurisë.
Një ditë më parë GJKKO vendosi të lërë në burg Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Sali Berishës, si edhe detyrim paraqitjeje për ndërtuesin Fatmir Bektashi. Ndaj ish-kryeministrit Berisha janë vendosur masat e sigurisë ‘detyrim paraqitjeje’ dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” për akuzën ‘korrupsion pasiv’. Policia e Shtetit ka tentuar mbrëmjen e kaluar, por edhe të shtunën, që ta njoftojë ish-kryeministrin me masën e sigurisë, por Berisha i ka shmangur.
Në dosjen “Partizani” Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, ndërsa Sali Berisha vetëm për “korrupsion pasiv”. Ndërtuesi Fatmir Bektashi akuzohet për ‘korrupsion aktiv’ dhe ‘pastrim parash’ .
Akuzat e SPAK për Sali Berishën
Në vijim të hetimit, është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se, nga: Sali Berisha është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin J. M., parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
– Nga ana e shtetasit Sali Berishës në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi
-Nga ana e shtetasit Sali Berishës në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij.
– Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.
Jamarbër Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëortak në këtë shoqëri.
Ndërsa në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, Malltezi dyshohet se ka kryer pastrim të produkteve të veprës penale, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme shuma deri mbi 5 milionë euro.
Nga ana tjetër edhe Bektashi dyshohet se ka kryer korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në bashkëpunim me Malltezin, duke i dhënë atij përfitimeve të paligjshme në shuma të mëdha, me qëllimin e përbashkët për të bërë ndërtime në terrenet sportive. Ai dyshohet se në bashkëpunim me Malltezin kanë kryer pastrim të produkteve të veprës penale teksa kanë fshehur origjinën e vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të Malltezi, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.