Ish-kryeministri Sali Berisha ka refuzuar edhe ditën e sotme që të shkojë në GJKKO, e cila e ka thirrur që ta njohë me masat e sigurisë ‘detyrim paraqitjeje’ dhe ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’ për aferën e privatizimit të ‘Partizanit’. Dy avokatët e Berishës, Genc Gjokuatj dhe Sokol Mëngjezi u paraqitën në Gjykatën e Posaçme për seancën, ndërsa ish-kryeministri nga selia e Rithemelimit sulmoi prokurorët e SPAK dhe mobilizoi partinë për ta mbështetur atë dhe dhëndrin e tij.

Para mbajtjes së seancës, Berisha doli në një konferencë për shtyp dhe sulmoi prokurorët e gjyqtarët që kanë në duar çështjen Partizani, duke thënë se janë të lidhur me George Soros dhe me pushtetin kriminal të Edi Ramës.