Për të tretën ditë me radhë, Gjykata e Posaçme po zhvillon seancën për vlerësimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha. Seancat kanë dështuar për dy ditë më radhë, ndërsa ditën e sotme ish-kryeministri Berisha do të mbrohet nga dy avokatët e shtetit Jalldiz Kastrati dhe Rabie Cenalia, të cilët kanë mbërritur në seancë. 

Nga ana tjetër, Mbrojtja e Sali Berishës ka depozituar kërkesën për përjashtimin e gjyqatres Irena Gjoka. Kjo kërkesë e Berishës do të vlerësohet ditën e sotme nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, e cila do të vendosë nëse do përjashtohet nga hetimi gjyqtarja Gjoka.

Ish-kryeministri Berisha është lënë në detyrim paraqitje dhe ndalim për dalje jashtë shtetit, pasi hetohet për korrupsion me privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Një ditë më parë, avokatët u larguan nga seanca me argumentin se Gjykata ka rrëzuar disa kërkesa që ata kanë bërë, përfshirë përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i çështjes dhe mospranimin e kërkesës për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese për interpretimin e vendimit për masën “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin.

Ndërkohë, GJKKO caktoi avokatin Artan Simoni të paguar nga shteti në mbrojtje të interesave të Berishës. Ndërkohë që ai njihej me dosjen, Shkëlzen Berisha reagoi për herë të parë pas akuzave të ngritura nga SPAK për babanë e tij, por teksti i shkruar prej tij përmbante një sulm ndaj avokatit. Shkëlzen Berisha, publikoi një status në rrjete sociale avokatit Simoni, i cili dy ditë më parë, fliste për “një bishë të plagosur, që diku paska gabuar”, që sipas tij i referohet babait të tij.

Në këto kushte me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata ka vendosur largimin e Simonit, si avokat mbrojtës të ish-kryeministrit duke e zëvendësuar me një avokat tjetër nga lista e avokatëve kryesisht dhe i la kohë që të njihet me aktet, duke e shtyrë vendimin për sot (26 Tetor). Berisha ka refuzuar dy herë të shkojë në senacë për t’u njohur me masën e sigurisë.

Akuzat 

Në dosjen “Partizani” Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, ndërsa Sali Berisha vetëm për “korrupsion pasiv”.  Ndërtuesi Fatmir Bektashi akuzohet për ‘korrupsion aktiv’ dhe ‘pastrim parash’ . GJKKO vendosi të lërë në burg Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Sali Berishës, si edhe detyrim paraqitjeje për ndërtuesin Fatmir Bektashi. 

Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri.

Ndërsa në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, Malltezi dyshohet se ka kryer pastrim të produkteve të veprës penale, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në kesh, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme shuma deri mbi 5 milinë euro.

Nga ana tjetër edhe Bektashi dyshohet se ka kryer korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në bashkëpunim me Malltezin, duke i dhënë atij përfitimeve të paligjshme në shuma të mëdha, me qëllimin e përbashkët për të bërë ndërtime në terrenet sportive. Ai dyshohet se në bashkëpunim me Malltezin kanë kryer pastrim të produkteve të veprës penale teksa kanë fshehur origjinën e vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të Malltezi, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.