Ministri i Financave ndodhet në konferencë me median me kreun e Bankës së Shqipërisë dhe FMN-në.Ministri Ervin Mete njoftoi vendimin që Shqipëria të dalë nga lista gri
Është marrë vendimi nga FATF, Task Forca për Veprimin Financiar, për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista gri, ashtu i njohur ndryshe si monitorim i shtuar. Vendimi është marrë sot nga Asambleja Plenare e FATF dhe vjen si pasojë e progresit të shënuar nga vendi ynë në zbatimin e rekomandimeve. Ky është një vendim me një sërë ndikimesh pozitive, qoftë në aspektin reputacional, ashtu edhe në lehtësimin e kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit. Është një lajm inkurajues dhe motivues për ne për të vazhduar më tej forcimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si edhe për të përmbushur në vazhdim angazhimet e ndërmarra me partnerët ndërkombëtarë.
Ekonomia e vendit ka treguar një qëndrueshmëri të kënaqshme përballë një seri goditjesh, duke patur një nga rikuperimet më të shpejta në nivel rajonal.
Gjatë gjysmës së parë të vitit 2023, rritja ekonomike ishte 3%, me përshpejtim nga tremujori i parë në të dytin, ku konsumi dhe investimet patën rritje përkatësisht me 4.2% dhe 9.2% krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2022.
Turizmi dhe ndërtimi sollën rritjen ekonomike
Sektorët që kanë udhëhequr rritjen ekonomike kanë qënë turizmi dhe ndërtimi, mbështetur nga rritja e kërkesës së brendshme. Në gjysmën e parë të vitit 2023, punësimi vijoi të forcohet, duke u rritur me 2.7% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë që, shkalla e papunësisë vijoi tendencën rënëse të viteve të fundit, duke zbritur në 10.7%, një nga shifrat më të ulëta historike.
Të dhënat paraprake indirekte për tremujorin e tretë tregojnë për një ritëm më të shpejtë të rritjes ekonomike.Nisur nga kjo ecuri e mirë është rishikuar projeksioni për rritjen reale të këtij viti, në 3.7%, nga 2.6% që ishte parashikimi fillestar.
“Sa i përket perspektivës ekonomike, në skenarin tonë bazë për vitin e ardhshëm parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8%, ndërsa parashikojmë një rritje mesatare vjetore prej rreth 4% për periudhën afatmesme në vijim. Ne parashikojmë se një rritje e tillë në afatmesëm do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat, ashtu edhe nga investimet totale në ekonomi. Gjithashtu, parashikojmë se edhe kërkesa e huaj neto do të japë një kontribut pozitiv, kryesisht në sajë të pritshmërive të mira për shërbimet, veçanërisht turizmin” tha Mete.
Qeveria miraton sot pr/buxhetin 2024
Sot, në një mbledhje të posaçme të Këshillit të Ministrave, do të miratojmë projektbuxhetin 2024 i cili vijon mbështetjen për reformën e pagave, në arsim, shëndetësi, forcat e rendit, të mbrojtjes dhe në sektorë të tjerë. Gjithashtu, projektbuxheti i vitit të ardhshëm mban në nivelin mbi 5% të PBB-së financimin e investimeve publike, jep mbështetje për zhvillimin e turizmit, si edhe vijon mbështetjen për fermerët dhe shtresat në nevojë.
Gjithashtu me FMN u rishikua strategjia afatmesme e mbledhjes së të ardhurave.
“Kemi diskutuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar mbi rishikimin e Strategjisë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave, për një strategji sa më koherente, që merr në konsideratë zhvillimet dhe treguesit e fundit makrofiskalë dhe që fokusohet kryesisht në mirëadministrimin fiskal. Sa i përket administrimit më të mirë fiskal do të ketë edhe asistencë teknike të dedikuar nga ana e FMN” tha Mete.