Sali Berisha ka mobilizuar forumet e partisë, nga ku po teston mbështetjen në betejën që ka me drejtësinë.
Nga mbledhja e Këshillit Kombëtar, Rithemelimi miratoi rezolutën ku planifikohet organizimi i protestave të fuqishme me sakrifica. Mirëpo, beteja pa kthim e paralajmëruar nga Sali Berisha nuk ka një datë.
Në nisje të takimit me deputetët dhe anëtarët e Këshillit Berisha ju drejtoi një thirrje simpatizantëve.
“Mblidhemi në momentet më kritike dhe opozita do të nis betejën e pandalshme”-tha Berisha.
Si fillim, forca e parë do të tregohet në sallën e Parlamentit ditën e hënë, ku pavarësisht përjashtimit pritet që revoltën ta shprehin nga aty.
“Opozita e bashkuar do të vazhdojë betejën pa kthim në parlament, por njëkohësisht do nisim dialogun me të gjithë këto segmente të agresuara përtej opozitës. Do shtrijmë betejën që nisëm në parlament, në sheshe, rrugë dhe rrugicat e Shqipërisë në rezistencë të qëndrueshme pa kthim, pa kompromis”
Dhe rezultatin e aksionit parashikojnë ta marrin në zgjedhjet e 2025.
“Nga tani, deri në vitin 2025, luani do jetë i zgjuar dhe do përballet me hienat që menduan se mund t’ua hedhin shqiptarëve me një diktaturë të dytë. Luani, ju do i përmbysni ata! Keni sakrifica për të bërë”.