Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Bledi Çuçi e ka cilësuar “skenar të opozitës” situatën e krijuar sot në Parlament. “Sot besoj ju dhe shqiptarët ishit dëshmitarë të një skene aspak të pranueshme për një vend si Shqipëria. Ju e patë të gjithë se çfarë skenari kishin përgatitur kolegët e opozitës dhe e them me bindje që ishte skenar, sepse sot ishte seanca që ne i drejtohemi dhe shprehim shqetësimet që marrim nga Java e Gjelbërt dhe asnjë nga grupi opozitar që krijoi dhe atë skenë të papranueshme sot në sallë, nuk ishte regjistruar më parë për të folur. Pra, ishin përgatitur më përpara për këtë skenar”, deklaroi Çuçi jashtë sallës së Kuvendit.”

Megjithatë, ai u shpreh se seancat në vijim do zhvillohen në kushte krejtësisht normale, duke theksuar se do të miratohen të gjithë projektligjet në të mirë të shqiptarëve.

“Besoj se kjo është e qartë. Skenari i tyre për të prishur me çdo formë seancat solemne se të tilla janë, por ju garantoj që kjo gjë nuk do ndodhë, Parlamenti do vijojë normalisht, ne do miratojmë projektligjet që janë në të mirën e avancimit të Shqipërisë në rrugën drejt BE dhe padyshim në të mirë të gjithë shqiptarëve.”

Seancat e fundit parlamentare janë shoqëruar me debate të shumta të cilat sot kulmuan me përplasje fizike. Në kushte të tilla, ku dy partitë më të mëdha në vend nuk gjejnë gjuhën e dialogut, duket e vështirë që seancat e ardhshme të kenë diskutime konstruktive.

Pikërisht për atë që pritet të ndodhë në Kuvend në javët vijuese, foli dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së Bledi Çuçi. Ai u shpreh se nuk do të ndërpritet më puna e Parlamentit.

“Nuk do ndodhë më që të ndërpresë punën Parlamenti. Një seancë ishte, dhe ajo në mirëbesim, sa dolëm ne që u lamë sallën, zaptuan platformën e qeverisë. Garda duhet të garantojë mbarëvajtjen e seancës plenare, nuk është detyrë e grupit parlamentar. Seanca të tilla i provokojnë kolegët e opozitës.”

Sipas Çuçit, tensionet e kësaj të Hëne në sallë ishin ‘pasqyrim’ i krizës së Partisë Demokratike, për të cilën shton se nuk e ka fajin mazhoranca.

“Nuk është faji jonë që opozita është në krizë dhe nuk jemi ne në asnjë ëndërr të keqe, shkaktarët. Mazhoranca është solide, kjo krizë ka sjellë situata të kësaj natyre, kjo situatë është pasqyrim i krizës që ka opozita. Mos harroni se i kemi fituar ne zgjedhjet, dhe jemi zgjedhur ne për të qeverisur. Ne do vazhdojmë punën tonë, ne s’kemi probleme me opozitën. Jo që s’e kemi shkaktuar krizën, por as mos prisni që ne ta bashkojmë! “

Ndërsa për Komisionin e Reformës Zgjedhore u shpreh: “Nuk është në tagrin tonë të zgjedhin ne se kush bën pjesë në një komision parlamentar, ka ligje Shqipëria. Nuk është e shkruar askund që jemi të detyruar të pranojmë propozimet e njërës palë për të hyrë në negociatë, është në të mirën e shqiptarëve, nuk shohim interesat. Reforma Zgjedhore nuk është çështje proceduriale, por politike“.