Sali Berisha dhe deputetët e Rithemelimit përsërisin skenarin e javës së kaluar me qëllim krijimin e kaosit për të ndërprerë punimet e parlamentit.
Deputetët e Rithemelimit ishin ngritur në këmbë e po debatonin pasi nuk iu dha fjala për procedurë. Ndërsa kanë bllokuar foltoren, Vullnet Sina ka qenë duke folur nga karrigia e tij. Në një moment deputeti i Rithemelimit Gledion Nallbati i është afruar me qëllim që ta ndalojë së foluri Sinën. Fillimisht ka qenë përplasje verbale më pas ka vijuar në përplasje fizike duke tentuar të godasë me grusht deputetin socialist, Vullnet Sina.
Seanca zgjati vetëm disa minuta dhe pas përplasjes fizike, gazetarët u larguan nga salla.
Pas disa minutash seanca vijoi por u ndërpre sërish pas disa minutash pasi deputetët e Rithemelimit nuk linin deputetët të flisnin.Ndërkohë u njoftua dhe përjashtimi i Gledion Nallbati.
Megjithatë deputetët e Rithemelimit vijuan të mbanin të bllokuar foltoren.
Gjatë përplasjes fizike dhe verbale mes deputetëvë ditën e sotme në parlament, deputeti demokrat Gaz Bardhi ka tentuar të çajë kordonin e punonjësve të gardës për të shkuar drejt kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës.