Deputetët mbështetës të Sali Berishës , po vijojnë skenarin e tyre , duke mos lejuar zhvillimin normal të mbledhjeve të komisioneve si dhe asaj të Konferencës së Kryetarëve.
Teksa ishte parashikuar që të niste Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve në orën 10:00, ku do të bëhej prezantimi i projektligjit për buxhetin 2014, nga ministri i Ekonomisë, Ervin Mete, deputetët e opozitës, u bënë ‘pritë’ kolegëve socialist.
Ata nuk lejuan zhvillimin e mbledhjes, dhe shkak për këtë siç thuhet është bërë përjashtimi i deputetëve dhe mos përmbushja e 3 kërkesave të tyre.
Fillimisht deputetët bllokuan sallën e konferencës së kryetarëve dhe nuk lejuan të zhvillohet mbledhja! Më pas PS ka tentuar që të zhvillojë mbledhjen në salla të tjera, por PD nuk i ka lejuar. Mbledhja është shtyrë për në orën 13:00.
6 deputetë të opozitës u përjashtuan dje (31 tetor) pas skenave të dhunshme të seancës së ditës së hënë në parlament. Mbledhja për përjashtimet u zhvillua po mes kaosit, pasi deputetët e opozitës hynë në sallë dhe prishën mikrofonat e nuk lejuan zhvillimin e saj. Berisha dhe Bardhi thanë se nuk do të njohin përjashtimet, teksa paralajmëruan se edhe të enjten nuk do të ketë seancë normale.
Opozita e Bardhit dhe Berishës ka ndërmarrë akte ekstreme në Kuvend duke mos lejuar prej disa javësh zhvillimin normal të seancave. PD e Lulzim Bashës është distancuar nga këto akte, duke thënë se një opozitë e dhunshme i shërben Edi Ramës.
Përjashtohen me 10 ditë nga Kuvendi
1. Gazmend Bardhi
2. Bledion Nallbati
3. Flamur Noka,
4. Edi Paloka,
5. Albana Vokshi
Përjashtohet me 3 ditë
1. Saimir Korreshi