Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, ka njoftuar këtë të mërkurë se në emër të PS, ka kallëzuar penalisht deputetin Bledion Nallbati për dhunën e ushtruar në parlament.
Në kallëzimin e bërë publik, deputeti i PD akuzohet për veprën penale “Goditje ose vepra të tjera dhune që i bëhen punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore apo të shërbimit”.Një vepër penale që sipas Kodit Penal dënohet me gjobë ose me burg deri në tre vite.
Në reagimin e tij në rrjete sociale Çuçi, thekson se PS nuk do të tolerojë aktet e dhunës në institucione.
“Sot, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste firmosa kallëzimin penal për deputetin Bledjon Nallbati për dhunën fizike të ushtruar në seancën e fundit ndaj deputetit Vullnet Sina.
Qëndrimi ynë është i qartë. Nuk do te tolerojmë asnjë akt dhune dhe refuzojmë këdo që e konsideron dhunën si mundësi për të shprehur mospajtimin.
Ftojmë organet ligjzbatuese të bëjnë punën e tyre dhe t’i shkojnë deri në fund ngjarjes së 30 tetorit në Parlament”, shkruan Çuçi në facebook.