Deputetët e Rithemelimit, me Bardhin në krye, dhe Berishën, vijuan skenarin e kaosit dhe tentuan të pengojnë konferencën e kryetarëve duke mos lejuar kolegët socialistë të mblidhen. Në një moment Bardhi hyri me forcë në zyrën e Nikollës, dhe vetëm me ndërhyrjen e gardës ministri Mete prezantoi shkurt  buxhetin e vitit 2024. Më pas opozita bllokoi edhe komisionin e Ekonomisë, duke bërë që mbledhja të zhvillohej onlineSali Berisha i akuzuar për korrupsion në çështjen e privatizimit të Klubit Partizani, vijon të orkestrojë episodet e dhunës së bashku me deputetët e Rithemelimit që e mbështesin.

Edhe pse të përjashtuar për kaosin në seancës e së hënës (30 tetor) Gazment Bardhi dhe deputetët e Rithemelimit tentuan sërish të pengojnë veprimtarinë normale të Konferencës së Kryetarëve. Deputetët e Rithemelimit penguan kolegët socialistë të hyjnë në sallën e mbledhjeve duke iu bërë bllokadë në korridoret e kryesisë së Kuvendit. Në një moment Gazment Bardhi hapi me forcë derën e zyrës së kryeparlamentares Nikolla. E gjithë situata solli shtyrjen e mbledhjes nga ora 10:00 në 13:00.

Kuvendi u detyrua të nxjerrë gardën në shkallë për të penguar që deputetët e përjashtuar, përfshirë ata që nuk kanë lidhje me Konferencën e kryetarëve, të hyjnë në mbledhje. Prezantimi i ministrit Ervin Mete u bë shpejt, ndërsa brenda sallës deputetja Zheni Gjergji bëri zhurmuesen duke i kërkuar drejtueses së Konferencës së Kryetarëve të marrë masa dhe të lejojë që në sallë të futet edhe Gazmend Bardhi.

Bashkë me deputetin Agron Gjekmarkaj e vlerësuan turp mohimin e fjalës për opozitën dhe braktisën mbledhjen. Në përfundim të saj, Gazmend Bardhi pati një përplasje verbale me kryeparlamentaren Lindita Nikolla të cilën e priti teksa zbriti nga salla e mbledhjes duke i thënë se parlamenti nuk është vila e saj.

Kaosi që tentoi të pengojë Konferencën e Kryetarëve dhe veprimet e deputetëve që bllokuan dyert e në një rast edhe thyen vazot e luleve në kryesinë e Kuvendit, u shfaq përmes videove live në rrjetet sociale nga deputetë të Rithemelimit.

Skenari i kaosit u zbatua edhe në Komisiononin e Ekonomisë. Pas konferencës së kryetarëve që u zhvillua mes kaosit, deputetët e Rithemelimit penguan edhe mbledhjen e komisionit të Ekonomisë për buxhetin e paketën fiskale 2024. Deputetët socialistë u larguan nga Kuvendi ndërsa Noka i ndoqi nga pas duke ironizuar të shkojnë te Basha. Mbledhja u spostua online në orën 16:00 dhe u mbyll me një prezantim të shpejtë nga ministri i Ekonomisë dhe Financave Ervin Mete për projekt buxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2024.

6 deputetë të opozitës u përjashtuan dje (31 tetor) nga Sekretariati i Etikës pas skenave të dhunshme të seancës së ditës së hënë në parlament. Mbledhja për përjashtimet u zhvillua po mes kaosit, pasi deputetët e opozitës hynë në sallë dhe prishën mikrofonat e nuk lejuan zhvillimin e saj. Berisha dhe Bardhi thanë se nuk do të njohin përjashtimet, teksa paralajmëruan se edhe të enjten nuk do të ketë seancë normale.

Opozita e Bardhit dhe Berishës ka ndërmarrë akte ekstreme në Kuvend duke mos lejuar prej disa javësh zhvillimin normal të seancave. PD e Lulzim Bashës është distancuar nga këto akte, duke thënë se një opozitë e dhunshme i shërben Edi Ramës.

Agjencia e fotove LSA sjell foto nga kaosi i krijuar sot në kuvend. Në një moment deputeti i Rithemelimit, Ervin Salianji është përplasur me gardistin në Kuvend pasi ndezi një tymuese me ngjyrë blu. Punonjësi i sigurisë i hoqi tymuesen nga dora Salianjit, ndërsa ky i fundit i hodhi një karrige e cila nuk kapi gardistin që ishte afër podiumit të ministrave dhe ministrja Kumbaro u tremb.