Sipas vlerësimit të gjykatës, në dosje ka dokumentacione të mjaftueshëm dhe me këtë arsyetim u rrëzua pala e Bashës. Nisur nga kjo, Sefa tha se do të kërkojnë përjashtimin e gjyqtarit Niko Rrapi nga procesi gjyqësor. Për mediat, Sefa tha se gjyqtari ka mbajtur anë dhe se PD kërkon që të shqyrtojë dokumentet që vërtetojnë mbajtjen e mbledhjes online të Këshillit, të cilën e quajti thjesht një imagjinatë të Bardhit.
“Kemi kërkuar dokumentacion në lidhje me zhvillimin e Këshillit Kombëtar imagjinar dhe online. Duam dokumenatcionin e paraqitur dhe të presupozuar që ekziston, duam që palët që janë në proces të vërtetojnë që ky Këshill Kombëtar imagjinar është zhvilluar apo jo. Gjykata vendosi që këtë dokumentacionin mos ta kërkojë, në kërkuam përjashtimin e gjyqtarit të çështjes për një anshmëri. Do paraqesim edhe kërkesën për përjashtim dhe do shohim në ditët në vijim se kujt gjykate do i drejtohemi. Absurde të vish në një proces gjyqësor dhe të mos paraqitet dokumentacioni. Duam ta vlerësojmë. Ne kemi dyshime se ajo mbledhje nuk është kryer kurrë dhe personat që kanë marrë atribute që nuk i takojnë kanë firmosur në lidhje me këto dokumentacione”, tha Sefa.
Këtë lëvizje të grupit të Bashës, përfaqësuesit e Rithemelimit dhe të Bardhi e shohin si një truk për të zvarritur procesin ligjor.
“Vazhdimi i lojës së turpshme të Bashës për ta mbajtur pezull dhe zvarritur statutin e PD. Përfaqësuesit e Bashës përdorin çdo lloj truku për ta shtyrë.”, tha Marash Logu, përfaqësues ligjor i Bardhit.
Përfaqësuesi ligjor i Rithemelimit thotë se kanë kërkuar pezullim të këtij gjykimi, pasi sipas tij fillimisht duhet të japë Gjykata e Lartë një vendim mbi cështjen se kujt i takon vula e partisë, Bashës apo Berishës.
“Është e katërta herë që shtyhet, që është skandaloze. Ne si përfaqësues të Berishës kemi kërkuar pezullimin e këtij gjykimi, për sa kohë që nuk është zgjidh në themel, nuk mund të regjistrohen kërkesat e Bashës”, u shpreh ai.
Gjykata deklaroi në vijim se vendimi për kërkesën për përjashtim do të merret nga një trup gjykues. Në rast të mos pranimit për ndryshim të gjyqtarit, seanca e radhës vendoset në datë 13 nëntor, ora 15:00.
Në ndryshimet statutore të 2 shtatorit Lulzim Basha emëroi veten e tij në krye të grupit parlamentar të Partisë Demokratike çfarë çoi shkarkimin e Gazmend Bardhit, t’i hiqte disa kompetenca sekretarit të përgjithshëm dhe t’ia kalonte kryesisë së partisë. Po ashtu, përjashtim të kandidatëve që garuan në siglën e partive të tjera, duke iu referuar kandidatëve që nxori Berisha më 14 maj në aleancë me Ilir Metën.