Gazetari Osman Stafa ishte i ftuar në emisionin “Review” në Euronews Albania për të folur rreth sëmundjes së kancerit dhe problemet që familjet hasin për të përballuar këto “beteja”.
Ai tha se individët shpesh përballen me mungesën e ilaçeve, aparaturat që mungojnë dhe kostot e larta të këtyre sëmundjeve. Ai tha se aktualisht në spitale mungojnë 3 barna kimio terapie dhe për këtë situatë, ai ka ngritur një padi penale.
“Unë kam një kohë mjaft të gjatë 4-5 vite që kam ndjekur pjesën sociale, shëndetësinë, sa I përket kancerëve, tomoreve dhe betejave që njerëzit ndjekin e më duhet të them se veç betejës që individi ka me sëmundjen duhet të përballet me mungesën e ilaçeve, pjesën e aparaturave që nuk funksionojnë.
Unë jam marrë shumë me Onko-Hematologji, ku trajtohen fëmijët, kam bërë një investigim mjaft të thelluar dhe kam parë se për dy vite katër medikamente jetshpëtuese që janë kimio nuk gjenden në farmaci e as në spital.
Kjo është një fatkeqësi shumë e madhe. Fëmijët e lënë spitalin se s’kanë barna. Aktualisht mungojnë 3 barna kimio dhe fëmijët që trajtohen në Onko-Hematologji nuk i kanë, prindërit detyrohen të shfrytëzojnë kontrabandën dhe këto medikamente nuk vijnë në sigurinë e duhur”,-tha Osman Stafa.