Kallëzuesi i Fredi Belerit, qytetari nga Himara Arsen Rama, është kërcënuar pas arrestimit të kryetarit të zgjedhur të bashkisë më 12 maj me akuzën për blerje votash. Gjykata e Posaçme mori në pyetje me dyer të mbyllura bashkëpunëtorin e prokurorisë, i cili i qëndroi deklarimeve të dhëna më parë, se hyri në kontakt pasi Beleri ishte interesuar për të blerë vota.
Përfaqësuesja e SPAK, Dorina Bejko tha në gjykatë se dëshmitari dhe familjarët e tij janë kërcënuar gjatë kësaj periudhe, dhe atij i është dëmtuar edhe makina.
Gjykata e Posaçme, rrëzoi edhe dy kerkesat e Fredi Bejlerit për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka si dhe kërkesën për perjashtimin e gjithë trupit gjykues, duke i cilësuar kërkesat të pabazuara. Nga ana tjetër, gjykata e lartë, përcaktoi GJKKO-në si kompetente për shqyrtimin e kërkesës së Belerit për lirim nga burgu për tu betuar, megjithëse kjo kërkesë i është rrëzuar nga e njëjta gjykatë më 26 qershor 2023.
Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin. Për çështjet e tij është angazhuar edhe qeveria greke e cila e quan arrestimit e tij të paligjshëm e politik dhe kërkon lirimin për të kryer betimin.