Euro po vijon rënien në kursin e këmbimit me Lekun.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye të mërkurën me 104.65 lekë, në rënie të mëtejshme me 0.2 lekë krahasuar me një ditë më parë dhe pothuajse 1 lekë që nga fillimi i këtij muaji.

Kursi Euro-Lek ndodhet aktualisht në vlerat më të ulëta të tre muajve të fundit dhe po kthehet në nivelet ku ndodhet periudhës së pikut të sezonit veror.

Në fakt, Leku arriti të ruajë pozita të forta edhe pas përfundimit të sezonit turistik, duke tregtuar se mbiçmimi i monedhës vendase tashmë mbështetet në ekuilibra të qëndrueshme të mekanizmave të tregut.

Pas një mbiçmimi të fortë në fund të muajit gusht deri sipër nivelit të 110 lekëve, Euro pësoi gradualisht rënie dhe në muajin tetor u stabilizua pranë nivelit të 106 lekëve. Por, që prej fundit të tetorit, po shfaqet një tendencë e re e forcimit gradual të Lekut ndaj Euros.

Megjithëse është e vështirë të identifikohen faktorët specifikë, agjentët mendojnë se tregu vazhdon të jetë në kushtet e një oferte të bollshme të Euros, falë një sezoni turistik me numra rekord dhe vlerave në rritje të investimeve të huaja direkte.

Nëse një vit më parë ekzistonte një kërkesë e përqendruar për valutë, e lidhur me nevojat e importit të energjisë elektrike, këtë vit situata energjetike paraqitet shumë e më e përmirësuar.

Sipas të dhënave të raportuara nga kompanitë, prodhimi i energjisë në vend tejkaloi me 13% konsumin e brendshëm dhe Shqipëria rezultoi eksportuese neto e energjisë elektrike. Madje, edhe në javët e fundit Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka kryer edhe procedura të eksportit të energjisë.

Në krahun tjetër, vlerësohet se oferta e valutës vendase është e shtrënguar, sidomos për shkak të një politike fiskale më shtrënguese se kurrë. Në fund të 9-mujorit, suficiti buxhetor ishte pranë niveleve më të larta historike. Pritej që qeveria të rriste ndjeshëm shpenzimet buxhetore në tremujorin e fundit, duke ndikuar në rritjen e ofertës së Lekut dhe tërhtorazi në zhvlerësimin e monedhës vendase. Por, deri tani në treg nuk po vërehen shenja të një efekti të tillë.

Duket se qeveria do ta shpenzojë deficitin buxhetor kryesisht në muajin dhjetor, ashtu siç ndodhi edhe vitin e kaluar.

Një faktor tjetër që potencialisht mund të ndikojë në favor të forcimit të Lekut është edhe shtrëngimi i mëtejshëm i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Norma bazë e interesit në fillim të këtij muaji u rrit nga 3% në 3.25%, niveli më i lartë i dekadës së fundit.

Megjithëse është e vështirë të vlerësohet ndikimi real i kësaj vendimmarrjeje në ecurinë e kursit të këmbimit, kjo rritje dhe mesazhet e dhëna nga Guvernatori Sejko për një shtrëngim të mëtejshëm në të ardhmen teorikisht mbështesin forcimin e Lekut.