Kreu i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi ka dhënë një deklaratë për mediat jashtë Kuvendit ku duke komentuar kaosin e shkaktuar nga opozita, tha se një sjellje e tillë është demagogji pasi ndodh edhe kur në seancë po diskutohen projektligjet e propozuara nga deputetët e opozitës.

“Sjellja e opozitës është demagogji sepse sot praktikisht kishim për shqyrtim 6 nga nismat ligjore që ka ndërmarrë opozita. Ju e patë që edhe për shqyrtimin e nismave të tyre, ata përsëritën skemat e tyre.  Qëllimi i propozimeve të projektligjeve është diskutimi, jo miratimi. Ne japim arsyet tona pse nuk duhen miratuar, ata japin arsyet e veta.

Nuk e kemi thënë në asnjë moment që opozita nuk e ka këtë të drejtë për ngritjen e komisioneve hetimore. E vetmja gjë që na bën të mos miratojmë një komision parlamentar që ata kërkojnë, kanë të bëjnë me objektin. Po të jetë brenda kërkesave të kushtetutës patjetër që do e miratojmë”- tha Çuçi.