Ashtu siç ishte parashikuar, nuk u zhvillua në kushte normale seanca plenare e kësaj të Enjteje.

Teksa kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla nisi fjalën e saj në kushte jo normale të seancës, deputetët e opozitës kanë ndezur sërish tymuese. Pikërisht për këtë arsye, Nikolla komunikoi përjashtimin e deputetit të PD Saimir Korreshi.

“Ju përjashtoj, lironi sallën zoti Korreshi. Garda ju lutem hiqni flakadanët!”, tha Nikolla.

Korreshi, e mori tymuesen nga çanta e një deputeteje.

Edhe pse salla u mbush me tym, Nikolla i dha fjalën ministrit të Ekonomisë Ervin Meta, sa i takon marrëveshjes së nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët.

Përveç tymueses, deputetët e opozitës kanë bërë grumbull karriget tek foltorja.

Ashtu siç u sinjalizua më herët, kjo e Enjte nuk do ketë zhvillim normal të seancës plenare. Deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren me karrige, ndërkohë që kryedemokrati Sali Berisha po mban fjalën përmes një lidhjeje direkte në Facebook-un e tij.

Ndërsa gardistët janë rreshtuar para ulëseve të ministrave, Berisha u thotë këtyre të fundit të mos bëjnë zhurmë ndërsa ai flet.

“Nëse s’dëgjoni, zhurmë mos bëni. Sigurisht që mbështesni verbërisht kreun e organizatës kriminale, për ju nuk ekzistojnë zgjedhësit, por vetëm Edi Rama. Prandaj, mos bëni zhurmë, dëgjoni! Kambanat bien për ju, ta keni të qartë, kjo është situata në Parlament”, iu drejtua Berisha palës mazhoritare.

Më tej, ish-kryeministri u shpreh me bindje se opozita do të bëjë çmos për realizimin e komisioneve hetimore sipas ligjit. Ai nuk i kurseu akuzat e rënda ndaj ministrit të Brendshëm Taulant Balla.

“Pusho, mos bëni zhurmë! Ky është hajduti, krimineli që vodhi të dhënat e TIMS, por ne këtu jemi. I bindur të jesh ti që komisioni do të ndërtohet.”