Prokuroria e Fierit ka sekuestruar pasuritë e çiftit shqiptar që u kap duke trafikuar mbi 580 kg kokainë në Greqi.

Bëhet fjalë për 50-vjeçarin shqiptar Arjan Neki Xhafa, së bashku me bashkëshorten Lutmira Fatmir Xhafaj, të cilët ranë në pranga  në fund të këtij shtatori.

Çifti janë arrestuar në Greqi për kapjen e 585 kg e 208 gramë lëndë narkotike “kokainë” , ku të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari kriminale i kanë pastruar në vendin tonë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier ka kërkuar në Gjykatë sekuestrimin e pasurive të dyshuara me prejardhje nga veprimtaria kriminale e çiftit, ku bëhet fjalë për një “truall” me sipërfaqe 300 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 110.70 m2, që ndodhet në Vlorë,  40,000 Euro dhe një automjet “Volswagen”, model “Golf”, viti i prodhimit 2010.

Gjykata e Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe me anë të oficerëve të policisë gjyqësore të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara kanë ekzekutuar vendimet gjyqësore.

Në pranga të policisë greke kanë rënë edhe dy nipërit e 50-vjeçarit, Ilirjan Shpëtim Baraj 35 vjeç dhe Klevis Arben Muskaj 21 vjeç, të gjithë me origjinë nga Fieri, të cilët u kapën nga hetimi i Prokurorisë së Drogës të Seksionit të Selanikut dhe DEA-s. Gjithashtu partner i familjes është edhe 33-vjeçari Avelino Alfred Feimi me origjinë nga Vlora, por me kartë identiteti grek, ndërsa burime thonë se asnjë nga të arrestuarit nuk ishte i njohur më parë për autoritetet. Sasia e madhe e drogës u gjet në dy automjete dhe në një shtëpi ku banonin tre anëtarët e grupit. në 239 pako.