Shqipëria i mbylli kualifikueset e Evropianit me një barazim pa gola ndaj Ishujve Faroe.

Në një ndeshje që tifozët e bënë festë shumë orë përpara, ekipi zhgënjeu në fushë, duke marrë vetëm një pikë ndaj ekipit të vendit të fundit të grupit, por mjaftueshëm për të mbyllur eliminatoret në vendin e parë, me 15 pikë, duke lënë pas Republikën Çeke.

Goditja e parë e tanëve në kuadrat erdhi vetëm pas minutës së 35, me Bajramin që tentoi portën nga jashtë zone, por pa sukses.

Më pas, kuqezinjtë patën dy raste të mira me Uzunin dhe Dakun, por portieri i dytë i ishullorëve reagoi më së miri, duke ruajtur të paprekur rezultatin.

Pjesa e dytë ishte shumë më e vakët, pa raste shënimi, me kuqezinjtë që madje rrezikuan të pësonin gol në minutën e fundit shtesë, pas një goditjeje këndi nga miqtë.