Vendimi i Gjykatës e të Drejtave të Njeriut e Strasburgu, ka nxitur kryeministrit Edi Rama të mbajë një konferencë mesditën e sotme në lidhje me 4 vrasjet e 21 janarit, ku nga ambientet e Kryeministrisë i bëri thirrje SPAK të zbardhë ngjarjen.
“Krime shtetërore si ajo e 21 janarit, historia mëson se vonojnë të zbardhen por nuk mbeten kurrë pa zbardhur.Prokuroria e Tiranës është tallur me përbuzje me Kushtetutën dhe ligjin dhe dhimbjen e familjarëve të viktimave. Është koha që drejtësia e re të reagojë”
Nuk jam dijeni të ketë hapur çështje SPAK apo të ketë marrë përsipër çështjen e 21 janarit por nuk e fsheh që e pres me padurim në sensin e një gjëje që ka më shumë se 10 vjet dhe një nga pengjet më të mëdha që ka ky vend, që ai krim, krimi më i madh i mundshëm shtetëror në një vend demokratik të zbardhet dhe përgjegjësit të ndëshkohen ”
Duke iu referuar vendimit të Strasburgut, kryeministri thotë se gjykata ka vendosur gishtin drejtpërdrejtë te autoritetet ekzekutive të kohës dhe kjo është e shkruar e zeza mbi të bardhë.
“Vrasja nuk ka nisur nga tërheqja e këmbëzës së automatikut, por nga urdhri, i cili ka ardhur nga maja, por nga ana tjetër, Gjykata nënvizon, vë gishtin dhe te krimi i pengimit të drejtësisë”
Rama u ndal dhe te dhuna në parlament, ku u pyet nëse mund të ketë një negociatë me Sali Berishën për të normalizuar punimet e Kuvendit. Gjithashtu sa i takon ftesës së deputetit të opozitës Gazmend Bardhi për dialog lidhur me ngritjen e komisioneve hetimore, Rama tha se nuk ka asgjë për të negociuar ndërsa paralajmëroi se në javët që vijnë do të bëhen ndryshime në ligjin për ngritjen e komisioneve hetimore.
“Nuk negociojmë me non gratat e zëdhënësit e tij. Kaosi në kuvend është për hallin e Berishës me drejtësinë e re. Presim që drejtësia të veprojë me drejtësi mbi ata që pengojnë forcërisht ushtrimin e detyrës të tjetrit. Nuk ka asgjë për të negociuar. S’mund të hetojnë thashethemet që nxjerrin vetë. Ne do të bëjmë rishikimin e legjislacionit për krijimin e Komisioneve Hetimore.” tha Rama.
Kryeministri hodhi poshtë në mënyrë kategorike akuzat e Berishës se anëtarët e familjes së kryeministrit kanë përfituar nga fondet publike.
“Kurrë! Kurrë! Asnjë anëtar i familjes time nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike. Biletën e fëmijës apo bashkëshortes e kemi paguar vetë”
Sa i takon çështjes së kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri i arrestuar prej 12 majit 2023, Rama përsëriti qëndrimin se nuk do të ndërhyjë tek drejtësia e re dhe u ndal tek kërcënimi i Greqisë me veto.
“A mundet Greqia të bllokojë? Edhe mundet, po pastaj… Nëse do të ndodhë, kur të ndodhë do të dëgjoni komentin tim. Do të ishte shumë jo serioze që Shqipëria që njihet botërisht si një vend krejt ndryshe nga ajo që ishte”
Sa i takon marrëveshjes me Italinë u shpreh i bindur se është në përputhje me Kushtetutën dhe nuk shprehu shqetësim për paralajmërimin e grupit të Rithemelimit se do e padisë në Kushtetuese.
“Mendoj se marrëveshja është krejt në rregull me Kushtetutën e Shqipërisë. Është një marrëveshje shumë pozitive për Shqipërinë për njëmijë e një arsye, por nuk ka asnjë problem nëse e çojnë në Gjykatë Kushtetuese”- u shpreh Rama.
Duke u pyetur për polemikat që ka shkaktuar SPAK, Rama u shpreh se është hera e parë që drejtësia vepron vetë, dhe jo sipas urdhrave nga politika.
SPAK ka ngjallur shumë polemika siç shihet sepse SPAK ka trazuar një ujë të ndenjur prej 100 e kusur vitesh. Si ata që thonë që janë shpëtimtarët e shumëpritur të kombit tek ata që thonë është mjet represioni që e përdor Edi Rama. Këta të dytët janë në hall. Unë i kuptoj por nuk i ndihmoj dot. SPAK është e para strukturë e pavarur bashkë me gjykatën. Detyra ime është që unë, qeveria e shumica që udhëheq të mbështes SPAK pa kushte. Pa kushte që do të thotë se edhe kur kemi gjëra për të thënë të mbyllim gojën”
Kryeministri Edi Rama mbrojti dhe koncesionin e sterilizimit si një nga veprat më të rëndësishme që ka sjellë transformimin në shëndetësi. Ndërsa sa i takon akuzave të SPAK për kosto të pajustifikueshme, që gjenden në dosjen e ish ministrit të shëndetësisë, Ilir Beqaj, Rama u shpreh se nuk i takojnë atij të bëjë llogaritë megjithatë la të hapur mundësinë e analizimit të këtij procesi.
“Në vijim sipas të dhënave më të konsoliduara do të bëjmë diskutimin dhe analizat tona. Ka dhe një analizë tjetër që s’e kam bërë unë por dikush mjaft e zonja për të bërë llogaritë, një kritike dashamirëse e kësaj qeverie. Në atë llogari del që unë jam bërë shumë kurioz dhe kam kërkuar opinion të dytë dhe më ka ardhur po i njëjtë, që përfitimi i shtetit nga ky partneritet është më i madh sesa të gjitha fryrjet që ne mund ti marrim të mirëqëna”.
Rama hodhi poshtë si të pabaza akuzat se ai ka favorizuar botuesin dhe gazetarin Carlo Bollino lidhur me tokën mbi të cilën është ndërtuar godina e televizionit Report Tv.
“Sa i përket sulmit shumë të ulët që i bëhet botuesit në fjalë që nuk ia përmende emri, që quhet Carlo Bollino. Mund t’iu them vetëm kaq. Që është një akuzë ose zinxhir akuzash pa asnjë bazë. Fare! Nuk ka asnjë bazë! Dihet shumë mirë pse bëhet”
Kreu i qeverisë tha se drafti për amnistinë është gati dhe së shpejti do ta kalojë në Kuvemd. Ndërsa sa i takon Reformëz Zgjedhore, Rama tha se pret që Komisioni të dërgojë një draft që më pas do të votohet në parlament. I pyetur nëse do të bashkëpunojë me Lulzim Bashën për këtë çështje, Rama ironizoi duke thënë duke thënë “ku është ky se kam kohë që nuk e di”.