Reshjet e dëborës që përfshinë vendin ditën e djeshme, kanë shkaktuar probleme të shumta në qytete të ndryshme të vendit, kryesisht në veri, në qarkun e Dibrës, Kukësit, Shkodrës dhe Lezhës.
Pjesa më e madhe e qarkut të Dibrës vijon të jetë pa energji elektrike që prej pasdites së djeshme si pasojë e reshjeve të shumta të dëborës që mësohet se kanë shkaktuar dëmtimin e disa shtyllave të rrjetit elektrik.
Ndërkohë sot, në Parkun Kombëtar të Qafështamës në Fushë Krujë dëbora ka arritur deri në 30 cm duke shkaktuar vështirësi në kalimin e rrugës Krujë-Qafështamë. Në fshatrat e malësisë, niveli i dëborës është më i ulët dhe nuk raportohet për rrugë të bllokuara apo problematika.
Në Malin e Krujës, niveli i dëborës shkon deri në 10 centimetra, ndërsa rruga është e kalueshme me vështirësi si pasojë e prezencës së akullit dhe dëborës në rrugë. Gjatë natës, ka rënë edhe niveli i lumit Ishëm i cili fatmirësisht nuk ka shkaktuar përmbytje në asnjë nga pikat kritike.
Kukës- Rrugët rurale janë të kalueshme me zinxhirë, përveç rrugëve të Njësisë Administrative Arrën, Zapod, Grykë-Çajë dhe Kalis të cilat janë të bllokuara. Në Bashkinë Tropojë, furnzimi me energji eletrike aktualisht është ndërprerë në Njësitë Administrative Bytyq dhe Llugaj. Në bashkinë e Hasit, ky problem është në Njësitë Administrative Golaj dhe Gjinaj.
Korçë- Situata është normalizuar në pjesën më të madhe të akseve rrugore pas ndërprerjes së reshjeve të dëborës. Problem ka në furnizimin me energjinë elektrike të disa fshatrave në bashkitë e Pogradecit dhe Maliqit. Ndërsa në Voskopojë e Dardhë, janë shtuar rezervimet e turistëve për të kaluar fundjavën.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se ekipe të OSHEE janë angazhuar për rikthimin e energjisë elektrike në zonat ku është ndërprerë por thekson se ndërhyrja është e vështirë për shkak të pranisë së lartë të akullit. Ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonat me prani të lartë akulli dhe që përdorin automjetet me goma dimërore e zinxhirë për të qarkulluar.
Mbrëmjen e djeshme, reshjet e dëborës shkaktuan bllokimin e rreth 300 automjeteve në bypassin e Qafë Murrizit në Rrugën e Arbrit dhe 100 automjeteve të tjera në aksin Maqellarë-Peshkopi. Pas ndërprerjes së reshjeve të dëborës, është bërë zhbllokimi dhe kriposja e rrugëve. Pjesa më e madhe e automjeteve që ishin nisur nga Tirana për në Dibër u kthyen mbrapsht.