Greqia nën presionin e BE-së për të mos bllokuar integrimin e Shqipërisë.”

Me këtë titull, një nga gazetat më të mëdha në Greqi, “Kathimerini” zbulon se qeverisë së Athinës po i kërkohet nga disa prej kancelarive më të rëndësishme europiane të mos bllokojë rrugën e Tiranës drejt unionit.

Sipas gazetës greke, ditët e fundit janë duke u zhvilluar negociata diplomatike në mënyrë që Athina të pranojë të firmosë një letër në emër të Këshillit Evropian që Shqipëria të hapë negociatat për 3 grup-kapitujt e parë. Nisja e këtij procesi duhet të marrë aprovimin e të gjitha vendeve anëtare pasi Shqipëria përmbylli me sukses procesin “Screening” pas 14 muajsh konsultime.

 “Nuk është sekret se Athinës i është bërë presion për të hyrë në linjë, dhe në komentet për “Kathimerini”, burime diplomatike evropiane thanë se kancelari gjerman, Olaf Scholz ka deklaruar përmes kanaleve diplomatike se procesi i anëtarësimit nuk duhet të jetë një çështje dypalëshe. Madje, sipas një zyrtari evropian, edhe Presidenca Spanjolle e BE-së shfaqet veçanërisht e acaruar me qëndrimin e palës greke”.

Gazeta greke shkruan se në këtë situatë, burimet saj diplomatike thonë se Athina nuk mund të vazhdojë të mbajë të bllokuar letrën në fjalë për një kohë të gjatë. Megjithatë sipas të njëjtave burime, edhe në rast se Greqia vendos të dërgojë letrën e lartpërmendur nga Këshilli Evropian, Athina po shqyrton mundësinë për të bllokuar fazën e radhës, raportin e përhershëm të anëtarësimit apo dhe thirrjen e një konference ndërqeveritare.

Greqia vijon të mbajë këtë qëndrim ndaj Shqipërisë për shkak të çështjes “Beleri”. Por pak ditë më parë, kancelari gjerman Olaf Sholz e tha në krah të kryeministrit grek, Mitcotakis se Berlini nuk e sheh me sy të mirë bllokimin e integrimit për shkak të çështjeve dypalëshe.

Ministri i shtetit, Stavros Papa-stavrou u shpreh se qëndrimi i Athinës ka të bëjë me mbrojtjen e parimeve evropiane dhe nuk është një çështje dypalëshe. Qeveria shqiptare është përgjigjur se kjo është një çështje e drejtësisë dhe nuk mund të ndërhyjë.