Përplasja Rusi-Shqipëri është përsëritur edhe një herë sot gjatë samitit të OSBE-së në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Pas deklaratës së ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov i cili tha se dimensioni ushtarako-politik i OSBE-së është shkatërruar nga vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së, ka reaguar edhe ministri i Jashtëm shqiptar Igli Hasani.
Ministri Hasani dënoi agresionin rus në Ukrainë, teksa theksoi se Rusia po kërkon të nxisë telashe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke dobësuar kështu edhe OSBE-në.
“Kërcënimi më i madh për sigurinë tonë sot, në të vërtetë për të gjithë arkitekturën tonë të sigurisë, duke përfshirë edhe këtë organizatë, është Rusia dhe lufta e saj e paligjshme e agresionit kundër Ukrainës.
Kjo luftë tragjike ka pasur pasoja dramatike për OSBE-në, në të tre dimensionet. Duke keqpërdorur mekanizmin unik të bashkëpunimit tonë – konsensusin – dhe duke e bllokuar atë për të gjitha vendimet e rëndësishme, Rusia ka synuar të dobësojë dhe paralizojë organizatën tonë. Të njëjtin mesazh deformues dëgjuam pak minuta më parë. Të njëjtat fjalë si në vitet 1956, 1968, 2008, 2014, 2022. Pastaj dërgojnë tanket e tyre”, deklaroi Ministri Hasani
Kryediplomati shqiptar u shpreh se Shqipëria po bën çmos për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve, por sipas tij nevojitet një përpjekje e bashkërenduar nga të gjithë miqtë dhe partnerët për të neutralizuar këto përpjekje.
“Të gjithë duhet ta pranoni se mënyra më e mirë për ta bërë Ballkanin Perëndimor, dhe rrjedhimisht Evropën, më të sigurtë, është njohja e pavarësisë së Kosovës dhe dhënia e vendit që i takon në këtë tryezë dhe në çdo tryezë tjetër ndërkombëtare”, tha ai.
Deklarata e mëparshme e Lavrov:
“Vendet e NATO-s dhe BE-së shkatërruan dimensionin ushtarako-politik të OSBE-së. Në vitin 1999, NATO kreu një agresion brutal kundër Jugosllavisë, një anëtare e OSBE-së dhe OKB-së. Dhe në vitin 2008, duke shkelur rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe parimin e paprekshmërisë së kufijve në Evropë nga akti final i Helsinkit, Serbisë iu mor Kosova pa asnjë referendum. Është faji juaj që keni sjellë këtë ndasi të OSBE-së, vetë iniciatorët e kësaj ideje janë duke e vrarë OSBE-në. Ka qenë tradicionale që ne të mbanim fjalime pozitive por kjo nuk po ndodh më, sepse OSBE është bërë vegël e BE”- u përgjigj Lavrov.
Ministri shqiptar për Evropen dhe Punët e Jashtme Igli Hasani i ka dhënë një përgjigje ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov i cili tha se OSBE-ja ishte në buzë të greminës dhe se Perëndimi po vriste shanset për ta ringjallur këtë organizatë.
Hasani në fjalën e tij tha se kërcënimi më i madh për sigurinë tonë sot, është Rusia dhe lufta e saj e paligjshme ndaj Ukrainës. Kjo luftë siç nënvizoi Hasani ka pasur pasoja dramatike për OSBE-në.
“Unë kam një lidhje shumë të fortë me OSBE-në. Një pjesë e rëndësishme e karrierës sime është e lidhur me këtë organizatë. Unë mund të dëshmoj vlerën dhe forcën e saj, si dhe kufizimet e saj. Unë besoj se mënyra se si OSBE-ja i përgjigjet sfidave me të cilat përballet sot do të përcaktojë të ardhmen e saj. Por, për të përballuar të ardhmen, së pari duhet të njohim burimin e sfidës me të cilën përballemi sot. Kërcënimi më i madh për sigurinë tonë sot, në të vërtetë për të gjithë arkitekturën tonë të sigurisë, duke përfshirë edhe këtë organizatë, është Rusia dhe lufta e saj e paligjshme e agresionit kundër Ukrainës.”
Duke “keqpërdorur mekanizmin unik të bashkëpunimit”, Hasani nënvizoi se Rusia ka synuar të dobësojë dhe paralizojë organizatën.
“Kjo luftë tragjike ka pasur pasoja dramatike për OSBE-në, në të tre dimensionet. Duke keqpërdorur mekanizmin unik të bashkëpunimit tonë – konsensusin – dhe duke e bllokuar atë për të gjitha vendimet e rëndësishme, Rusia ka synuar të dobësojë dhe paralizojë organizatën tonë.
Të njëjtin mesazh deformues dëgjuam pak minuta më parë. Të njëjtat fjalë si në vitet 1956, 1968, 2008, 2014, 2022. Pastaj ata dërgojnë tanket e tyre. Ndërkohë, konflikte dhe kriza të tjera, sfera e kërcënimeve transnacionale, terrorizmi, krimi i organizuar, ekstremizmi i dhunshëm dhe krimi kibernetik, si dhe efektet negative të ndryshimeve klimatike në siguri, vazhdojnë të shkaktojnë vuajtje dhe vështirësi për shumë nga 1 miliardë njerëz që mbulon ombrella e OSBE-së. Ato shkaktojnë një dëm të madh edhe për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, veçanërisht për gratë dhe fëmijët.
Zhvillimet në Afganistan, ose në Lindjen e Mesme, theksojnë sërisht domosdoshmërinë e angazhimit të zgjeruar të OSBE-së me partnerët e saj aziatikë dhe mesdhetarë për bashkëpunim. Të gjitha këto sfida kërkojnë një organizatë të fortë! Në Ballkanin Perëndimor, në rajonin tonë në tërësi dhe në shumë nga vendet tona individuale, ne e dimë se çfarë impakti pozitiv mund të ketë një OSBE e fortë. Ne e dimë gjithashtu se sot nevojitet edhe një herë një OSBE e fortë. Sepse pavarësisht progresit të dekadave të kaluara, kërcënimet e vjetra që kanë pllakosur historinë e rajonit tonë po ngrenë sërish kokën.
Dhe përsëri, pas këtyre përpjekjeve për të nxitur telashe në Ballkanin Perëndimor mund të dallojmë të njëjtën dorë që po përpiqet të dobësojë OSBE-në. Ngjarjet në Kosovë janë provë e qartë e përpjekjes për të tërhequr vëmendjen nga lufta në Ukrainë, duke nxitur konfliktin në Ballkanin Perëndimor. Ne po bëjmë çmos për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve së bashku me aleatët dhe partnerët tanë. Shqipëria vazhdon të punojë fort dhe në mënyrë proaktive për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe paqësor. Ne mbetemi garantues të orientimit evropian të rajonit tonë, i sigurisë, stabilitetit dhe demokracisë”, tha ai.