Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, në samitin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që po i zhvillon punimet në Shkup, i ka bërë thirrje Rusisë që t’i japë fund shkeljes së parimeve të OSBE-së.

“Unë shtoj zërin tim, me atë të kolegëve, të cilët i bëjnë thirrje Rusisë, që t’i japë fund shkeljes së parimeve bazë të kësaj organizate, por nuk jam i sigurt nëse ajo është ende e gatshme të na dëgjojë”, ka thënë O’Brien.

Ai ka theksuar se pavarësisht atyre shteteve që janë përpjekur të bllokojnë punën e organizatës, OSBE-ja do të vazhdojë të funksionojë.

“Tani është zgjedhje e shteteve që janë përpjekur të bllokonin punën e kësaj organizate, për të parë gatishmërinë e tyre nëse do të qëndrojnë me komunitetin e civilizuar, bazuar në aktin final të Helsinkit, apo duan të vazhdojnë pengesat e tyre. OSBE-ja do të jetë mirë, prapëseprapë, por, ka rëndësi për ta të zgjedhin, nëse do të vazhdojnë të jenë me ne në këtë përpjekje”, ka deklaruar O’Brien.

Nga ana e tij ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, në fjalimin e tij ka akuzuar rëndë këtë organizatë duke thënë se është bërë vegël e BE-së. Lavrov tha po ashtu se është faji i OSBE-së që sipas tij e kanë sjellë këtë ndasi në OSBE.

“Vendet e NATO-s dhe BE-së shkatërruan dimensionin ushtarako-politik të OSBE-së. Në vitin 1999, NATO kreu një agresion brutal kundër Jugosllavisë, një anëtare e OSBE-së dhe OKB-së. Dhe në vitin 2008, duke shkelur rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe parimin e paprekshmërisë së kufijve në Evropë nga akti final i Helsinkit, Serbisë iu mor Kosova pa asnjë referendum. Është faji juaj që keni sjellë këtë ndasi të OSBE-së, vetë iniciatorët e kësaj ideje janë duke e vrarë OSBE-në. Ka qenë tradicionale që ne të mbanim fjalime pozitive por kjo nuk po ndodh më, sepse OSBE është bërë vegël e BE”- u përgjigj Lavrov.

Me kryediplomatin rus replikoi ministri shqiptar për Evropen dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, duke përsëritur kështu ‘përplasjen’ mes Shqipërisë dhe Rusisë të ndodhur në shtator të këtij viti në Këshillin e Sigurimit të OKBS-së mbi çështjen e Ukrainës. 

Në përgjigjien e dhënë ndaj Lavrov-it, Hasani shprehet se njohja e Kosovës është e vetmja garanci për siguri në Evropë, ndërsa tha se Rusia po përpiqet të shkaktojë konflikte në Ballkan. 

“Kërcënimi më i madh për sigurinë tonë sot, në të vërtetë për të gjithë arkitekturën tonë të sigurisë, duke përfshirë edhe këtë organizatë, është Rusia dhe lufta e saj e paligjshme e agresionit kundër Ukrainës. Kjo luftë tragjike ka pasur pasoja dramatike për OSBE-në, në të tre dimensionet. Duke keqpërdorur mekanizmin unik të bashkëpunimit tonë – konsensusin – dhe duke e bllokuar atë për të gjitha vendimet e rëndësishme, Rusia ka synuar të dobësojë dhe paralizojë organizatën tonë. Të njëjtin mesazh deformues dëgjuam pak minuta më parë. Të njëjtat fjalë si në vitet 1956, 1968, 2008, 2014, 2022. Pastaj dërgojnë tanket e tyre”, deklaroi Ministri Hasani.

Samiti i OSBE

Samiti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), nisi punimet në Shkup të Maqedonisë së Veriut, me pjesëmarrjen e 57 vendeve anëtare të organizatës, përfshirë shefin e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov.

Lavrov arriti në kryeqytetin maqedonas, Shkup, në orët e para të 30 nëntorit. Pjesëmarrja e diplomatit rus u mundësua nga Shkupi dhe Sofja që pezulluan përkohësisht sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian për fluturimet e avionëve rusë për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.

Kjo shkaktoi debate e reagime të shumta, nëse Rusia me pjesëmarrjen në këtë samit, po përfiton dhe forcon pozitën e saj në skenën ndërkombëtare, përkundër pushtimit të paprovokuar të Ukrainës. Ukraina dhe shtetet baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania, në shenjë pakënaqësie e kanë bojkotuar samitin, duke mos dërguar ministrat e Punëve të Jashtme në Këshillin Ministror.

Po ashtu në Shkup mbërriti edhe sekretari i shtetit Anthony Blinken, që mori pjesë në një darkë joformale, dhe fotografi familjare mbrëmjen e së mërkurës. Kryediplomati amerikan u largua pas darkës, duke shmangur kështu një përballje me homologun rus, Lavrov.

Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesin e OSBE-së, Bujar Osmani, diplomati amerikan ka përgëzuar Shkupin për kryesimin me sukses të OSBE-në, ndërsa mirëpriti edhe përzgjedhjen Maltës si kryesuesen e radhës me këtë organizatës gjatë vitit 2024.  

Në prag të samiti, shefi i diplomacise se BE, Josep Borrell tha se anëtaret e OSBE ishin të bashkuar kundër agresionit rus.  

“Ky është një rast i mirë që ai [Sergei Lavrov] të dëgjojë nga pjesëmarrësit e këtij takimi pse Rusia është dënuar dhe izoluar, dhe më pas ai do të mundë të kthehet në Kremlin dhe t’i thotë zotit të Kremlinit se BE-ja dhe OSBE-ja mbeten të bashkuara në dënimin e sjelljes agresive dhe të paligjshme të Rusisë”, tha Borrell, duke iu referuar pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska.

Përsa i përket bojkotimit nga vendet si Ukraina, Estonia, Letonia dhe Lituania, për shkak të pjesëmarrjes së Lavrovit, por edhe Shkupin për vendimin e tij për ta mundësuar pjesëmarrjen e tij, Borrell tha se i kupton ata.

“Unë e kuptoj që disa vende pjesëmarrëse nuk ishin të kënaqura me vendimin tuaj për të marrë pjesë ministri Lavrov, e kuptoj, sepse me luftën e paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës, ajo po minon të njëjtat parime të OSBE-së dhe po i shkel ligjet, dhe për këtë arsye po përballet me sanksione ndërkombëtare dhe izolim. Megjithatë, vendimi juaj për të lejuar pjesëmarrjen e Lavrovit është në përputhje me qëllimin tonë të përbashkët, për të mbajtur gjallë multilateralizmin”, tha Borrell.

Borrell gjithashtu tha se e mirëpret marrëveshjen që Malta të jetë kryesuese e OSBE-së për vitin 2024.

“Përkundër të gjitha vështirësive në të cilat jetojmë, OSBE-ja mbetet partnere e rëndësishme dhe forum për shkëmbime në Bashkimit Evropian. Ne e vlerësojmë shumë rolin e OSBE-së, në veçanti në kohëra të këtilla. OSBE-ja është platforma e vetme ku arkitektura dhe siguria e përbashkët evropiane duhet të diskutohet, përkundër përpjekjeve të Rusisë që ta rrënojë këtë organizatë, parimet themelore të saj dhe sigurinë e përhershme”, tha Borell.