Një prej personave të arrestuar si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Murselit është Naim Murseli. Përveç Murselit, është arrestuar edhe një person tjetër i dyshuar, nga Gjakova, i cili në deklaratën e tij para policisë ka pranuar se ka kryer veprën dhe ka deklaruar se Naim Murseli e ka paguar 30 mijë euro për një gjë të tillë.

Murseli në Kosovë njihet për angazhimin e tij si pjesë e stafit të ngushtë të kreut të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Me një shikim të shkurtër në profilin e tij në “facebook”, shihen fotografitë e shumta që Murseli ka publikuar nga jetesa luksoze që ka bërë, në Suedi, por edhe në udhëtime të ndryshme bashkë me Pacollin.

Të shumta janë edhe fotografitë e tij me gruan, Liridonën, e cila është varrosur sot në fshatin e saj të lindjes në Gjakovë.

Sipas të dhënave që janë të disponueshme në internet, Murseli e ka kryer edhe shkollën e mesme në Gjimnazin “Agnebergs” në qytetin Uddevalla nga viti 2006 deri në vitin 2009 në Suedi, megjithatë nuk dihet se në çfarë drejtimi.