Aktori i mirënjohur i teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare.

Lajmi u konfirmua nga familjarë të tij. Ata shkruan në rrjetet sociale se Kabashi u shua pas mesnate, në orët e para të datës 5 Dhjetor.

Të nderuar miq, kolegë dhe dashamirës, me pikëllim të thellë ju njoftojmë se Mirush Kabashi ndërroi jetë të Martën, në datë 5 Dhjetor pas mesnate. Përsa i përket detajeve të ditës, orës së varrimit dhe homazheve do ju komunikojmë në orët në vazhdim”, njoftuan ata.

Mirush Kabashi lindi më 17 Prill 1948 në Shkodër, por u rrit në Durrës. Origjina e tij ishte nga Gjakova.

Ai është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri.

Kabashi ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare. E ndërsa një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.

Mirush Kabashi është vlerësuar me titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”. Në fund të vitit 2014 ai u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.