Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e bërë nga deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi për heqjen e sekuestros mbi provat e gjetura gjatë veprimeve hetimore të SPAK ndaj saj. Padia që u shqyrtua nga gjyqtari Erion Çela, bazohet në nenin 222 të Kodit të Procedurës Penale, pika 3, që bën fjalë për përgjimet telefonike.
Burime nga SPAK dhe GJKKO, nuk konfirmojnë zyrtarisht për çfarë bën fjalë konkretisht objekti i kërkesës, që mesa duket lidhet me sekuestrim telefoni, pajishesh kompiuterike dhe provash të tjera. Jo zyrtarisht, mësohet se oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer kontrolle në banesën e prindërve të Monika Kryemadhit, ku kanë sekuestruar disa prova përfshirë edhe aparate celularë të cilët po i nënshtrohen ekspertimit. Pikërisht zhvlerësimin e këtij veprimi të SPAK, ka kërkuar përmes avokatit, deputetja Monika Kryemadhi në kërkesën për heqjen e sekuestros.
Në seancën që nisi në orën 13.30, Kryemadhi u përfaqësua nga avokati i saj Redi Llanaj, ndërsa SPAK nga prokurori Sotir Kllapi i cili heton çështjen e lobimit të LSI në SHBA. Objekti i këtij hetimi janë pagesat e kryera në vlerën 300 mijë USD, nga Ish-LSI, për vizitën e Ilir Metës e Petrit Vasilit në inagurimin e Donald Trump si president ne 2017.
Pak javë më parë, u raportua se oficerët e BKH-së kryen kontrolle në zyrat e Partisë së Lirisë ku sekuestruan prova materiale. Ndërkohë më 8 nëntor kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta u mor në pyetje në SPAK për aferën CEZ-DIA, një tjetër çështje në hetim për dëmin 414 milionë euro në arkën e shtetit shqiptar