Qarkullimi i masave ajrore nga veriperëndimi i Europës do të kushtëzojë në vendin tonë alternime kthjellimesh dhe vranësirash në të gjithë territorin, ku më të dendura vranësirat do të paraqiten në zonat malore përgjatë shtrirjes lindore, megjithatë nuk priten reshje. Parashikohet që pasditja dhe orët e mbrëmjes të vijojnë nën ndikimin e motit të qëndrueshëm, ku kthjellimet dhe vranësirat e lehta do të jenë dominante.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie me 2 gradë C në orët e mëngjesit por edhe mesdita sjelle një rënie të lehtë të tyre duke luhatur vlerat ditore nga -4°C deri në 12°C. Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi 45 km/h nga drejtimi Verior dhe Verilindor duke sjellë në brigjet detare dallgëzim mbi 2 ballë.
Masat ajrore me origjinë kontinentale do të kushtëzojnë në Republikën e Kosovës mot kryesisht të qëndrueshëm duke bërë që kthjellimet të jenë dominante deri pas mesditës kur pritet të shfaqen vranësirat si fillim në zonat veriore dhe gradualisht gjatë pasdites do të përfshijnë të gjithë territorin e Kosovës. Parashikohet që në orët e vona të natës të sjellin grumbullim të vranësirave në pjesën më të madhe të republikës së Kosovës. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur minimalja -4 °C dhe maksimalja do të ngjitet deri në 4°C. Era do të fryjë mesatare por herë pas here forcohet duke arritur shpejtësinë 50 km/h nga drejtimi permanent Verilindor.
Maqedonia e Veriut
Do të vijojnë masat ajrore të qëndrueshme ndikimin e tyre në të gjithë republikën e MV duke sjellë alternime kthjellimesh dhe vranësirash, ku më të theksuara vranësirat do të paraqiten në zonat perëndimore dhe jugperëndimore të MV. Kjo situatë atmosferike do të na shoqërojë deri vonë në mbrëmje kur pritet shtim i vranësirave dhe lagështirës në ajër në pjesën më të madhe të territorit të republikës së MV por mundësia për reshje është thuasje zero. Përsa i përket temperaturave të ajrit do të pësojnë 2 gradë rënie në të dy vlerat ekstreme ditore duke u luhatur nga -5°C minimalja deri në 7°C vlera maksimale në rang territori. Era do të fryjë e lehtë paradites por forcohet pasdite duke arritur shpejtesinë maksimale mbi 40 km/h nga drejtimi kryesisht Verior – Verilindor.
Europa
Si pasojë e prezencës së dy qendrave të fuqishme ciklonare përkatësisht në Perëndim dhe Jugperëndim të kontinentit me ndikim deri në qendër të Europës do të kushtëzojnë motin në këto rajone, ku ishujt britanikë dhe gadishulli Iberik do të kenë shira me intensitet të lartë si edhe stuhi të forta ere. Po ashtu me reshje shiu e dëbore do të paraqitet Europa Qendrore por në sasi më të pakta ndërsa pjesa më e madhe e kontinentit europian do të jetë nën ndikimin e kushteve disi më të qëndrueshme atmosferike duke bërë që kthjellimet dhe vranësirat e shpeshta të jenë dominante.