Ish-zëvendësdrejtori i policisë së Tiranës Erzen Brecani, i arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme për disa vepra të rënda penale, ka mohuar të këtë marrë para nga djali i tij Eralbi Breçani apo nga kunati i këtij të fundit Ervin Mata. I arrestuari Breçani u mor në pyetje nga hetuesit e Byrosë Kombëtare te Hetimit në prani të tre mbrojtësve ligjorë ku ka sqaruar marrëdhënien që kishte me Ervin Matën, si kunati i djalit të tij, ndërsa ka mohuar përfshirjen apo pasjen dijeni për trafikun e lëndëve narkotike.

Po pavarësisht deklarimeve të Breçanit, Prokuroria e Posaçme ka nisur një hetim pasuror për të gjitha transaksionet që janë bërë në adresë të tij apo dhe personave të afërt, bazuar në bisedat e zbardhura nga komunikimet në Sky ECC, për transferim shumash nga 350 mijë deri në 500 mijë euro. Jo vetëm për Breçanin, por edhe pasuritë e të gjithë të arrestuarve të tjerë dhe familjarëve të tyre po kalojnë në sitën e SPAK.

Ndërkohe dy ditë më parë SPAK ka kërkuar ekstradimin në Shqipëri edhe të Ismail Zenelit, anëtarit të grupit që u arrestua nga policia spanjolle në ekzekutim të urdhër arrestit të lëshuar nga SPAK. Zeneli është personi që sipas dosjes hetimore donte të vriste vëllezërit Nela për hakmarrje pasi dyshonte se në vitin 2013 i kishin vrarë në sy të tij, vëllain me emrin e ndryshuar, Xhem Krasniqi, krim që kishte ndodhur në Britaninë e Madhe. Sipas SPAK, Ismail Zeneli është anëtar i grupit të Ervin Matës dhe Eralbi Breçanit për trafikun e drogës.

Në 20 nëntor Prokuroria e Posaçme (SPAK) lëshoi 11 urdhër-arreste për goditjen e grupit të strukturuar kriminal. Nga këto urdhër arreste u ekzekutuan vetëm 4 prej tyre, arrestimi i Erzen Breçanit ish drejtor i Policisë së Tiranës, Dedan Gjoni shefi i krimeve në Komisariatin numër 6, Bujar Ajezi, Besmir Murati të cilët u lanë në burg nga GJKKO.

Ndërsa arrest shtëpie u caktua për Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit. Me arrestimin e Ismail Zenelit, shkon në 5 numri i të arrestuarve. Ndërkohë në kërkim janë Ervin Mata, Artan Sulejmani, Albert Prenga, Bajram Grabova dhe Eralbi Breçani, pjesë e grupit kriminal që trafikonte lëndë narkotike nga Amerika Latine drejt Europës.  Ndërkohe spak ka nisur hetimin pasuror për të gjithë anetaret e grupit kriminal dhe këngëtaren Elvana Gjata e cila përmendet në dosje për përdorimin e llogarisë së saj nga Ervin Mata me qëllim transferimin e shumave deri në 500 mijë euro.