Në ditën e Rinisë, 8 dhjetor, Partia Socialiste ka mbledhur, Kongresin nga ku deputetë e ministra parashtruan projektin e transformimit të partisë, arritjet dhe synimet për mandatin e katërt. Kryesocialisti Edi Rama u shfaq në krah të Gramoz Ruçit.
Para delegatëve të organit më të lartë vendimmarrës të partisë, socialistët në bllok kërkuan drejtësi për 21 janarin, ku 4 protestues të pafajshëm u vranë nga plumbat e shtetit gjatë kohës së qeverisjes Berisha. Një zëri ata thanë se me vendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut është hapur rruga që të vendoset drejtësia nga autoritetet shqiptare.
E para që mori fjalën, ministrja Elisa Spiropali u ndal te kundërshtarët politikë duke thënë se janë shkërmoqur e nuk e mundin dot më një forcë politike si Partia Socialiste. Një koment e kishte edhe për kaosin e Sali Berishës, për të cilin thotë se gjithçka e bën pasi ka frikë nga drejtësia e re që ka filluar të funksionojë.
Tek ky vendim që vjen nga zemrat e Europës mund të shihni arsyet përse çeta opozitare garda e një njeriu të vetëm nuk bën gjë tjetër veçse ndez zjarr e thyen karrige. Reforma në Drejtësi është historike, drejtësi në Shqipëri pavarësisht regjimeve dhe qeverive, nuk ka patur më parë”- tha Spiropali.
Partia Socialiste do të vijojë mbështetjen e palëkundur ndaj Reformës në Drejtësi pavarësisht çmimit, tha ministri i Drejtësisë Ulsi Manja. Plagë dhimbje e cilësoi 21 janarin, për të cilin u shpreh se vendimi i Strasburgut ua ka lehtësuar sado pak dhimbjen e këtyre 12 viteve.
“Për në socialistët 21 janari është plagë dhimbje, por në këtë kongres ndihemi paksa të lehtësuar pasi vendimi i Strasburgut i ka hapur rrugë drejtësisë. Vendimi i Strasburgut dëshmon më shumë se kurrë se drejtësia asnjëherë nuk e lë në harresë të drejtën”, tha Manja.
Më i ashpri mes socialisteve, si gjithnjë u tregua Erion Braçe, i cili tha se në 21 janarin e 2011 u pushkatuan pa gjyq në mes të bulevardit 4 protestues. Akuza pati për Prokurorinë e Tiranës për të cilën thotë se asokohe u tall me hetimet.
“Pse duhet të përmbahem? Forca vdekjeprurëse me dashje është monopol i shtetit në kushte të ligjshme, por në shkelje të ligjit me dashje është vrasje, pushkatim pa gjyq. Ka ndodhur në mes të bulevardit Dëshmorët e Kombit.”, tha Braçe.
Në mbylljen e panelit të parë me në fokus Drejtësinë, u shfaq edhe një klip i shkurtër ku tregonte ngjarjen e 21 janarit deri në vendimin e Gjykatës së Strasburgut, ku thuhet se shteti ka përgjegjësi për vrasjen e Aleks Nikës, ndërsa fajtori duhet të dënohet.
Kongresin e përshëndeti me një videomesazh edhe kryeministri i Spanjës, Pedro Sanches, i cili tha se Shqipëria ka bërë progres dhe se do mbështesin vendin tonë në reformat për zhvillim.
“Shqipëria është bërë një shembull progresi, në rritjen ekonomike, drejtësinë sociale dhe lirinë e të gjithë qytetarëve. Në këtë rrugë të progresit, kontributi i PS ka qenë vendimtar nën kryesimin e mikut Edi Rama”, tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi e vuri fokusin tek fitoret e socialistëve, ndërsa ministrja Spiropali dha mesazhin që për t’i fituar betejat e njëpasnjëshme duhet reformë në qeveri, parti e administratë.
Punimet e kongresit nisën rreth orës 11:30 dhe do të jenë të ndarë në 6 panele: Reforma në Drejtësi dhe Lufta kundër Korrupsionit, Prioritetet zhvillimore, Qeverisja Vendore, Siguria dhe Shqipëria në botë si dhe Partia Socialiste 2030.